“Qeveria e Republikës së Kosovës duke ngritur kapacitetin edhe të hetimit edhe kushtet e të ardhurat e prokurorëve ka krijuar të gjitha mundësitë që kriminelët qoftë në prezencë qoftë në mungesë, të akuzohen, gjykohen e dënohen”.
Kjo është vetëm një nga herët e shpeshta që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e godet me kritika Prokurorinë e Shtetit, veçanërisht atë Speciale.
Këtë e bëri edhe në përkujtimin e masakrës në Nabërgjan të Pejës, ku para familjarëve u ankua se për këtë rast e shumë të tjerë nuk ka as dënime e madje as aktakuza të ngritura.
Kritikës së fundit të kryeministrit, i është kundërpërgjigjur, udhëheqësi i departamentit për krime lufte në Prokurorinë Speciale.
Ilir Morina, megjithëse nuk dëshiron të lëshohet në koment se i quan politike ato, tregon për Dukagjinin se ata punojnë intensivisht për secilin rast.
“Ne punojmë për ditë, nuk është çështje që ne vetëm kur janë përvjetorët, ne duhet ta informojmë publikun. Nëse na përcillni ne punojmë vazhdimisht dhe kjo nuk ka të bëjë me pagën e prokurorëve, kjo është me vullnetin, me punën dhe profesionin që bëjmë ne që nuk është çështje e pagës prandaj nuk e di pse duhet të minimizohet i gjithë ky mund që po bëhet në këtë departament me një koment të atillë”, ka thënë Morina.
Pos, kësaj sipas shoqërisë civile, kritikat e pushtetit drejtuar Prokurorisë Speciale përbëjnë shkelje të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.
“Në një shtet si Kosova që me Kushtetutë i ka pushtet e ndara, kryeministri deputetët, politikanët kur kritikojnë hapur institucionet e drejtësisë pa dyshim se kjo përbën shkelje e pavarësisë së këtyre institucioneve po edhe shkelje të vetë kushtetutës nga vetë kryeministri dhe të tjerët”, ka tënë Miftaraj.
Ndërkohë, nga Prokuroria Speciale thanë se së shpejti do të ngritet edhe një aktakuzë e re që ka të bëjë me krime lufte.
“Shumë shpejt presim dhe kemi një aktakuzë për një rast dhunimi dhe në momentin që aktakuza do të jetë gati edhe publku do të njoftohet”, ka shtuar Morina.
Morina ka folur edhe për numrin e vogël të prokurorëve në departamentin për krime të luftës që tha se vjen si rezultat i mosmiratimit të buxhetit që ata kërkojnë përmes KPK-së nga Qeveria.
Aktualisht, në Departamentin për krime luftë të Prokurorisë Speciale punojnë vetëm tre prokurorë.