Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka folur edhe për paralajmërimet për luftë që kanë ardhë së fundi nga zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, teksa shtoi se Kosova vazhdon të jetë prioritet i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Haziri thotë në Blic Interview se edhe pse nuk jemi prioriteti i parë tek ShBA-të, pas ngjarjes Rusi-Ukrainë e Izrael-Iran, vazhdojmë të kemi mbështetje e të jemi të favorizuar edhe sa i përket raporteve me Serbinë.
“Është një mbështetje e madhe e BE-së në raportin Kosovë-Serbi, ShBA-ja ka marrë anë, sepse siç kanë thënë, janë të pozicionuar kah Kosova dhe kjo mbështetje e madhe materializohet përmes O’Brienit. Në raport me Serbinë kemi një rrethanë të re që po punohet shumë në riparimin e marrëdhënieve të dëmtuar Serbi-ShBA, ku kjo e fundit është duke punuar shumë në sektorin e sigurisë atje. Kjo neve nuk duhet të na bëjë xheloz sepse amerikanët dhe Ambasada Amerikane nuk e dëmton Kosovën kur ndërton marrëdhënie me të tjerët”, tha Haziri.
“Është befasi e mirë që ne jemi prioritet i tretë i ShBA-ve, pas luftrave që po ndodhin në botë, Rusi-Ukrainë është prioriteti i dytë i tyre”, shton ai.
Ai tutje shtoi se, të gjitha veprimet që i bën, përfshirë edhe sjelljen e tyre afër kufirit, kanë vetëm një qëllim, frikën dhe pasigurinë tek qytetarët e Kosovës.
“Në kuptimin e sigurisë, nëse Serbia vendos që të bëjë luftë edhe njëherë me NATO-n, atëherë i bie që ajo do ta ketë raportin e njejtë siç e ka pasë në 99’tën. Serbia për herë të parë është një humbëse e një lufte, krejt këto bllofe, sjellje për rreth Kosovës, ata dëshirojnë vetëm të krijojnë një imazh të keq për Kosovën, që të ndjellin frikë e pasiguri”, tha Haziri.
Ai thotë se duhet të ndryshojë qasja e kësaj Qeverie, sepse sipas tij, kryeministri Kurti po mbjellë frikë tek njerëzit për gjithçka.
“E çuditshmë është që bartësit e institucioneve të Kosovës e kanë përmend luftën 42 herë. Ne duhet ta ndryshojmë mendësinë, duheT t’ju themi njerëzve që raporti me Serbinë është i njëjtë, sepse ata do të vazhdojnë të jenë burim i destabilizimit. Por, kjo neve nuk na bën më pak shtet. Kurti tash e 20 vjet e ke mbjellë tek njerëzit frikën për gjithçka, e ka shfrytëzuar frikën si mjet politik me kundërshtime të tij”, tha Haziri.