Tri qendra në tri komuna janë vënë të shtunën në dispozicion për 2 mijë e 230 policë.
Ata i janë nënshtruar testit me shkrim në kuadër të konkursit për gradim nga polic i lartë në rreshter, pozitë për të cilën janë vetëm 355 vende të lira.
Por, në testim kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të gjeneratës së 54-të të Policisë, për të cilët Dukagjini tash e disa ditë ka raportuar që janë lejuar të aplikojnë jashtëligjshëm në këtë konkurs.
Zyrtarët e kësaj gjenerate akoma nuk i kanë mbushur dy vjet në gradë n “Polic i lartë”, gjë që është në kundërshtim me “Udhëzimin administrativ për procedurën e gradimit të zyrtarëve policorë”.
Neni 13 i këtij udhëzimi thotë se “Polici i lartë kërkohet të ketë minimumin e qëndrimit në gradë dy vite, i diplomuar në shkollën e mesme dhe ndaj të cilit mos të jetë shqiptuar ndonjë masë disiplinore për shkelje të rënda disiplinore apo vepër penale”, në mënyrë që t’i mundësohet gradimi.
Dyshohet se pjesë e kësaj gjenerate janë disa familjarë të zyrtarëve të ndryshëm të lartë të Policisë, mirëpo vet institucioni ka injoruar pyetjet e Dukagjinit për këtë aspekt.
Ndërsa, pjesëmarrjen në konkurs të policëve që nuk i plotësojnë kriteret ligjore, Policia e kishte arsyetuar duke thënë se trajnimi i gjeneratës 54 në Akademi ka zgjatur më shumë se ai i gjeneratave të tjera.
Sipas, Policisë kjo është arsyeja pse kjo gjeneratë ka 5 vjet përvojë pune në Polici, por nuk ka arritur të plotësojë këto dy vitet e qëndrimit ne gradën e policit të lartë.
Pas raportimit të Dukagjinit, televizioni merr vesh se zyrtarët e Policisë janë mbledhur në dy takime, por konkursi për rreshter nuk ndryshoi.
Për këtë çështje, Inspektorati i Policisë i kishte thënë televizionit se këto informata do t’i verifikojë dhe varësisht nga të gjeturat do të procedojë sipas kompetencave të saj.
Procesi i gradimit për rreshter po ndodhë pas më shumë se tetë vitesh. Pos testit me shkrim, zyrtarët policorë pritet t’i nënshtrohen edhe procedurave tjera të procesit të gradimit.