Delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, në përbërje të të cilit është ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti dhe përfaqësues nga FSK-ja, po merr pjesë në konferencën dyditore “Defence 24 Days”.
Siç thuhet në njoftimin e MPJD-së, kjo konferencë u kushtohet çështjeve që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë, sfidat dhe situatën aktuale dhe të ardhshme gjeopolitike, parandalimin dhe mbrojtjen në epokën e luftës.
Si një prej konferencave më të mëdha dhe më të rëndësishme të sigurisë në Evropë, “Defence24 Days” është një mundësi e mirë e diskutimit në mes të përfaqësueseve më të lartë shtetërorë, të ekspertëve, të civilëve dhe të ushtarakëve, rreth sigurisë dhe mbrojtjes në Evropë.
Përmes diskutimeve në panele Republika e Kosovës do të paraqesë pikëpamjet, angazhimin dhe kontributin e saj në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Ministrja Gërvalla në kuadër të kësaj konference pritet të ketë takime me udhëheqës të lartë të Polonisë, të shteteve të tjera pjesëmarrëse në konferencë, përfaqësues të institucioneve rajonale dhe globale, civile dhe ushtarake.