Policia e Shqipërisë po kërkon trupat e A.A 39-vjeçare dhe të fëmijëve të saj.
Ata dyshohet se kanë kryer vetëvrasje në lumin Buna në Shkodër.
Më 05.05.2024, Policia e Shtetit njoftoi se një vajzë nëntëvjeçare dyshohet se kreu vetëvrasje në Shkodër si pasojë e dhunës në familje nga babai i saj.
Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gent Mullai, ka thënë për KALLXO.com se ende nuk janë gjetur dy fëmijët dhe nëna.
“Po vijojnë intensivisht kërkimet” – deklaroi Mullaj.
Policia e Shtetit shqiptar thotë se hetimet zbardhin rastin se për shkak se 31 vjeçari E.A shkaktoi dhunë ndaj bashkëshortes dhe tre fëmijëve, vajza e tij 9-vjeçare kreu vetëvrasje.
31-vjeçari u arrestua nga policia.
Trupi i pajetë i 9-vjeçares, që dyshohet se kreu vetëvrasje, u gjet në lumin Buna.
Policia thotë se zhytësit po kërkojnë edhe bashkëshorten dhe dy fëmijët e tjerë të 31-vjeçarit. Dyshohet se edhe ata kanë kryer vetëvrasje.
“Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit E. A., 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa” – thuhet mes të tjerash në komunikatën e policisë.
Në komunikatë thuhet se nga hetimet e kryera dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga E.A.
I dyshuari për këtë rast më herët ishte i dënuar për kultivimin e bimëve narkotike.
Trupi i pajetë i nëntëvjeçares u gjet në lumin Buna, në fshatin Darragjat rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024.