Shegë Shkodra, një nga organizatoret e Edicionit të 14-të të Chopin Piano Fest Prishtina, ka njoftuar lidhur me koncertet në kuadër të këtij festivali.
Në emisionin “Reload”, në RTV Dukagjini, Shkodra ka njoftuar se festivali do të nisë të enjten e nëntë majit.
Ajo ka thënë se festivali do të hapet nga artisti me origjinë ukrainase e që jeton në Gjermani.
Shkodra thotë se pos Artem Jasinksit, artistit ukrainas, do të performojnë edhe 28 artistë të tjerë.
“Sivjet në Chopin do të jenë 16 koncerte në total… i kemi 29 artistë të cilët do të performojnë në 16 koncerte. Kanë me fillu prej një artisti virtuoz me origjinë ukrainas por që jeton në Gjermani, Artem Jasinksi, është shumë i njohur në Gjermani dhe është profesor atje në shkollë të muzikës. Ai do ta bëjë hapjen e festivalit sivjet”, tha ajo.
Ideja kryesore e festivalit është që shumica e koncerteve janë me piano, thotë Shkodra.
Ajo thekson se ky festival është pa pagesë.
“Ideja e krejt Chopinit është që të afrohet sa më shumë publiku, të rinjtë muzikdashës të klasikes, si e tillë është pa pagesë, mund të vijë gjithkush, i lusim krejt vizitorët që t’i rezervojnë vendet… Në këto 16 koncerte, festivali fillon më 9 maj ditën e enjte këtë javë”, shtoi më tej ajo.