Valdet Hoxha, avokat, tentim vrasjen ndaj Marko Jabllanoviqit e ka quajtur skenar të mirë menduar të strukturave paramilitare serbe, që, sipas tij, janë të mbështetura nga Qeveria e Serbisë.
Ndonëse thotë se një situatë e tillë është e pritshme, megjithatë ai thekson se Qeveria e Kosovës duhet të ketë qasje serioze dhe koordinim më partnerët ndërkombëtarë.
Hoxha thekson se Qeveria e Serbisë, që ai e quan “qeveria e listës së zezë”, dëshiron që ta tensionojë situatën në veri në dy fronte: mbajtjes gjallë të tensionit dhe frikësimit të serbëve.
“Një situatë e pritshme duhet të ketë një qasje serioze dhe të kujdesshme institucionet e vendit. Është një skenar i mirë menduar i strukturave paramilitare serbe të mbështetura nga Qeveria e Serbisë, tashmë e konfirmuar qeveria e listës së zezë, që ta tensionojnë situatën në veri të vendit në dy fronte, për ta mbajtur gjallë frontin dhe për t’i frikësuar pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë që të integrohen në institucionet e vendit. Është luftë me dy fronte, mbajtja gjallë e tensionit dhe frikësimi i serbëve. Qeveria e Kosovës duhet të koordinohet saktë me partnerët ndërkombëtarë sepse nuk po bëhen rastësisht këto kërcënime, kacafytje, beteja, sepse pas disa ditësh e kemi votimin në KiE dhe ky është synimi kryesor, Serbia ka krijuar një ekip për ta ndaluar anëtarësimin e Kosovës në KiE, si duket nuk janë pasukses sepse kishim kushte”, u shpreh ai në emisionin “Five”.
Po ashtu, Hoxha potencon se nëse është i nevojshëm dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese, Qeveria duhet ta bëjë këtë pasi, sipas tij, mosanëtarësimi në Këshillin e Evropës është një goditje e rëndë dhe vështirë e riparueshme për vendin.
“Qeveria duhet të jetë e kujdesshme në aspektin e sigurisë, por edhe në atë diplomatik, nëse është e nevojshme dërgimi i draftit ta bëjë, sepse mosanëtarësimi në KiE do të jetë goditje vështirë e riparueshme për vendin”.