Cyberchondria i referohet ankthit të një personi për shëndetin e tij, që krijohet ose përkeqësohet duke përdorur internetin për të kërkuar informacione mjekësore.
Me zhvillimin e internetit dhe informacionit, shqetësimi për shëndetin fizik është një klik larg.
Pasojat e këtij ndryshimi po vlerësohen gjithnjë e më shumë, por ato ende nuk janë kuptuar saktë. Ndërsa disa njerëz ndihen të fuqizuar nga një qasje e lehtë në informacionin shëndetësor dhe janë më pak të shqetësuar pasi kërkojnë informacion në internet, të tjerët janë më të frikësuar ose të çuditur.
Kjo ka të ngjarë të ndikojë në sjelljen e kërkimit të kujdesit shëndetësor dhe marrëdhëniet me mjekët.
Ky ankth i ri që zhvillohet së bashku me një kërkim në Google quhet Cyberchondria.
Sipas Pew Research Center, 72% e përdoruesve të anketuar të internetit kanë kërkuar për informacione shëndetësore në internet gjatë vitit të kaluar, dhe 35% e të rriturve në SHBA janë përpjekur të vetëdiagnostikojnë gjendjen shëndetësore duke përdorur internetin.
Shumë njerëz që kanë shëndet të dobët i drejtohen internetit për t’u vetëdiagnostikuar.
Vlerësohet se rreth 70% e amerikanëve të rritur mbështeten në internet për të marrë informacion mjekësor. Për disa njerëz, ky informacion mund të çojë në një ndjenjë lehtësimi ose në një kuptim më të mirë të gjendjes së tyre mjekësore. Për njerëzit e tjerë, ky informacion rrit ankthin e tyre në lidhje me shëndetin në nivele të rënda dhe të pajustifikuara.
Një studim tjetër zbuloi se 10% e pjesëmarrësve ndjejnë ankth dhe frikë nga informacioni mjekësor që ata gjejnë në internet.
Faktorët kryesorë që ndikojnë tek këto fenomene janë :
Historitë që dëgjojmë
Tani, që kalojmë shumë kohë në rrjetet sociale, nuk është çudi që zbulojmë se kushëriri i largët kishte kancer dhe vdiq, një histori që normalisht nuk do ta dinim nëse nuk do të ishim kaq të lidhur me internetin.
Tërheqja e negativitetit
Një nga arsyet pse ne kujtojmë dhe vërejmë negativitet më shumë sesa pozitivitet është evolucionare dhe është jashtë kontrollit tonë.
Truri ynë është ndërtuar, thjesht, me një ndjeshmëri më të madhe ndaj lajmit të pakëndshëm.
Dezinformimi falas
Sipas një artikulli në “The New York Times Magazine”, disa faqe që shfaqen kur kërkoni një simptomë, ka të ngjarë t’ju tregojnë një skenar më të keq dhe t’ju trembin për përfitimet e tyre financiare dhe këtë gjë e bëjnë për klikime.
Ne jetojmë në një botë që është padyshim më stresuese
Sipas profesorit Jean Twenge, fokusi i madh në qëllimet dhe pritjet e mëdha që ne i vendosim vetes dhe zhgënjimet që marrim nga interneti mund të bëjnë një jetë më stresuese.
A është interneti shkas për ankthin shëndetësor?
Ka shumë faktorë emocionalë që ndodhin dhe mund të shkaktojnë shqetësime shëndetësore.
Duke kaluar një periudhë stresuese të jetës, si, një sëmundje apo vdekje në familje, mund të keni mësuar se si të mos e menaxhoni stresin, për shkak të rritjes me një anëtar të familjes që shqetësohej shumë për shëndetin e tij.
Ky fenomen është një shembull tërheqës se si teknologjia dixhitale mund të luajë një rol të rëndësishëm, megjithëse jo një ekskluziv në shkaktimin e fenomeneve psikopatologjike. Ai, gjithashtu, tregon mënyrat e reja në të cilat mund të paraqiten njerëzit me hipokondrizë, një gjendje e njohur për shekuj. Nëse këto dy prezantime ose gjendje klinike janë në thelb të ndryshme, është e panjohur. Prandaj, një nevojë për të kuptuar më mirë lidhjet etiologjike dhe rrugët në marrëdhëniet midis hipokondriazës, ankthit shëndetësor dhe kërkimeve në internet, të lidhura me shëndetin, nuk mund të mbivlerësohet.
Yavuz Selvi, profesor në Universitetin Selçuk në Konia, tha se hulumtimi nxori në pah se gati një në tre persona, informacionet në lidhje me simptomat e sëmundjes i kërkojnë nëpërmjet internetit. Në këtë mënyrë, personat që kërkojnë në internet shpeshherë dhimbjet e zakonshme, si, fryrjet në trup dhe skuqjet apo temperaturën i ndërlidhin me sëmundje të rënda si AIDS, tumoret dhe kancerin.
Ai vuri në dukje se njerëzit që kanë cyberchondria nuk u besojnë mjekëve, dhe kur vijnë për konsulta ata, tashmë, kanë përgatitur një raport për sëmundjen e tyre të gjetur në internet. Në këtë mënyrë, ata përpiqen që të bindin mjekët se ata me të vërtetë janë të sëmurë, dhe, madje, kërkojnë metoda të ndryshme të trajtimit.
Ai shtoi se kohët e fundit Cyberchondria është përhapur dhe negativisht po ndikon në disponimin e pacientëve duke i bërë ata nevrikë, të shqetësuar dhe të tensionuar.
“Njerëzit të cilët pa pushim i kërkojnë simptomat në komentet e forumeve, me të vërtetë janë problem. Më së shumti hulumtojnë kancerin dhe sëmundjet infektive. Paralajmërimet e vogla që trupi dërgon i shohin menjëherë si diçka të madhe. Përkundër faktit se analizat dhe gjetjet që bëhen nuk tregojnë këtë, vërtetësinë për sëmundjet e rënda i gjejnë në internet. Ndonjëherë njerëzit besojnë fort në sëmundjet e rënda, dhe pastaj bien në depresion, sepse askush nuk iu beson”, tha Selvi, i cili paralajmëron se në këtë mënyrë njerëzit mund të humbin kontaktin me jetën e përditshme dhe të humbin vullnetin për të jetuar. Një gjë e tillë, sipas tij, kërkon ndihmën e psikiatrit.
Mund të jesh duke kërkuar, thjesht, për simptoma gripi ose ftohjeje, dhe mund të gjesh sëmundje të tipit “hypochondria” qe shpjegojnë atë që në fakt quhet “cyberchondria”. Shqetësimi ndaj simptomave të thjeshta është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme, si pasojë e lehtësisë që të krijon interneti.
Dr.Khare shprehet se ka pasur tepër raste kur pacientët e tij të prekur nga alergjia, gripi apo dhimbja e fytit konsultoheshin me mjekun, të bindur nga kërkimi në Google se kishin kancer.
Përveç gjendjes së rëndë mendore që të shkakton kërkimi në Google me diagnoza false, vetë njerëzit që kërkojnë në internet priren t’i ekzagjerojnë simptomat, duke dalë në përfundime tejet të rrezikshme.
Ja disa këshilla nga Dr. Khare, në rast se bëni kërkime në internet për simptomat shëndetësore.
Kërkoni faqe interneti të besueshme
Çdo njeri që ka një lidhje interneti në shtëpi, mund të hapë një faqe të re. Ndaj kini kujdes se kujt po i drejtoheni për këtë problem, po ashtu sigurohuni që faqet që përdorni për të tilla shërbime të jenë të verifikuara dhe të kenë reputacion mjekësor.
Mos hulumtoni për shëndetin thjesht për kënaqësinë tuaj
Sigurisht, që, mund të kërkoni në faqet mjekësore misterioze që zbulojnë infeksione te panumërta, të cilat ngjallin jashtëzakonisht interesim, por kur bëhet fjalë për diagnostikimin vetjak, mos u shpërqendro dhe drejtohu vetëm në faqet e sigurta. Kërko vetëm për simptomat që ke dhe mos u përpiq t’i shtosh vetes simptoma të sugjeruara nga faqe të tilla. Pasi të marrësh përgjigjen, sa më shpejt që të jetë e mundur dil nga ajo faqe.
Sigurohu dy herë për diagnozën tënde
Gjëja e fundit që duhet të bëni është të shqetësoheni pa arsye konkrete. Nëse informacioni online të bën nervoz, shko menjëherë për një vizitë te mjeku.
Thuaji gjithçka që ka të bëjë me informacionin që e ke marrë online, dhe mos u largo pa ditur për të gjitha shqetësimet që ke.