Për nismën e Ballkanit të Hapur, Publicisti Baton Haxhiu ka thënë se si mund të kundërshtohet nga Qeveria e tanishme në pushtet dhe të thotë se është projekt i Serbisë, kur partner kryesor ekonomik e ka Serbinë.
I ftuar në Debat Plus, Haxhiu ka thënë “Si është e mundur që ne blejmë mallra të vazhdueshme nga Serbia, e këndej e kundërshtojmë Open Balkan”.
Ndërsa për këtë, edhe analisti Visar Ymeri ka thënë se edhe në Procesin e Berlinit jemi me Serbinë, e njësoj jemi edhe në Ballkanin e Hapur, me një vend që nuk na njeh.
Ymeri, për inciativën e Ballkanit të Hapur, ka thënë se procesi i Berlinit dhe kjo nismë nëse shikohen për nga aspekti ekonomik, thelbësisht nuk ndryshojnë shumë.
Sipas Ymerit, ideja e Ballkanit të Hapur është përforcim i procesit të Berlinit.
Sipas Ymerit, Kosova ka menduar se nëse nuk merr pjesë në Open Balkan, kjo iniciativë do të zhbëhet, sepse nuk kanë nga të shkojnë, por siç thotë ai ky mendim rezulton i paqëndrueshëm.
Ymeri: Open Balkan, mundësi të ndalet ndikimi nga Rusia e Kina
“Procesi i Berlinit nuk mund të realizohet pa bashkëpunim rajonal, mund të përshpejtohet përmes Open Balkan”, ka thënë Ymeri.
“Pyetja e parë që duhet të shtrohet nga Kosova është se sa kanë ndikim proceset e integrimit rajonal, sepse vetëm përmes këtij bashkëpunimi mund të përforcohet integrimi në Bashkimin Evropian(BE)”, ka shtuar Ymeri.
Sipas tij, si mund të themi që është nismë rajonale kur në këtë nismë janë dy vende anëtare të NATO-s, e të themi se është në interesa të Rusisë.
“Tashmë nëse e kemi një nismë rajonale, është nismë e vendeve, bërje bashkë për të rritur mundësitë tona për të rritur zhvillimin ekonomik, nuk mendoj që duhet të ndalemi e kujt është ideja, me rëndësi është çfarë forme do të merr projekti”, ka thënë Ymeri.
Zeka: Tregun në Kosovë, Serbia e ka me marrëveshjen e CEFTA-s
Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, ka thënë se administrata e Joe Biden, nuk ka dalë me qëndrim të qartë për këtë konferencë në Ohër, vetëm se sipas tij, zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, në vjeshtën e kaluar ka thënë se ne e mbështesim idenë për Open Balkan.
Për këtë nismë, ai ka thënë se përfitimet janë të shumta.
Sipas tij, argumentet që përmenden shumë, se nëse bëhemi pjesë e Open Balkan, Serbia do ta shkatërrojë ekonomikisht Kosovën, sepse do të hapet tregu i Kosovës nga importet e Serbisë, pra nuk ka as barrierë tarifore, dhe as kuptim logjik.
“Për këtë argument që e jep Kryeministri edhe ekzekutivi e të gjithë që e kundërshtojnë Ballkanin e Hapur, se Serbia do e shkatërrojë Kosovën ekonomikisht, nuk ka logjikë”, ka thënë Zeka.
Sipas tij, ulja në tryezë si palë e barabartë, që ti shtynim përpara disa kauza, si dokumentet tona që i lëshojnë Dogana e Kosovës të kenë emërtime kushtetuese, do të ishte përfitimi më i madh nga kjo iniciativë.
Ndërsa për sa i përket pretendimeve,se kjo do të mundësojë hegjemoni të Serbisë në aspektin ekonomik, ai ka thënë se kjo nuk ka bazë.
“Nuk është e bazuar, janë një sërë faktorësh, socialë e teknologjikë, që fakton se Kosova del shumë më mirë se Serbia”, ka shtuar Zeka.