Gjatë kësaj të marteje parashihet të mblidhen gjithsej pesë komisione parlamentare.
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike do ta bëjë sot shqyrtimin e raportit të auditimit të performancës “Sistemet e Informacionit në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal Prishtina”, ku të ftuar janë Bordi i KRU-së. Ky komision parlamentar do të mblidhet në orën 13:00.
Ndërsa, Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim e shqyrton sot Projektligjin për Vlerësimin Strategjik Mjedisor. Ky komision parlamentar do të mblidhet në orën 13:00.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione do të flasë lidhur me peticionin e punëtorëve të AKP-së, në orën 13:00.
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, do ta shqyrtojë Projektligjin për falimentimin dhe Projektligjin për mbrojtjen nga zjarri, në orën 11:00.
Derisa, Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, e shqyrton sot Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, në orën 10:00.