Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën ka njoftuar se mbrëmjen e djeshme ka zhvilluar një takim me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se gjenerallejtënant Jashari, po e udhëheq me sukses Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Kurti ka theksuar se ngritja dhe rritja e FSK-së në vitet e fundit është e paparë, duke shtuar se buxheti i dyfishuar, armatimi i trefishuar dhe trajnimet jashtë vendit janë hapa drejt anëtarësimit në NATO.
Ai, gjithashtu, ka diskutuar për arritjet e deritashme, gjendjen aktuale dhe sfidat e ardhshme në rrugën e përparimit të FSK-së.
“Komandanti i FSK-së, Gjeneral lejtnant Bashkim Jashari, ende nuk e ka prekur gjysmën e mandatit, por ngritja dhe rritja e FSK-së është e paparë në këta më pak se dy vjet e gjysmë. Biseduam gjatë mbrëmë për të arriturat e deritashme, gjendjen aktuale dhe sfidat e ardhshme. Forcimi e zgjerimi i ushtrisë sonë me buxhet të dyfishuar, armatim të trefishuar dhe katërfishim të trajnimeve jashtë vendit është rruga e sigurtë drejt NATO-s”, ka shkruar Kurti.