Daniel Serwer: Kosovës nuk i është dhënë status i barabartë, propozimi për Ballkanin e Hapur nuk duhet të merret parasysh

Profesori i Universitetit “John Hopkins”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Portali D, ka thënë se Kosova duhet ta konsiderojë pjesëmarrjen në “Ballkanin e Hapur”, vetëm nëse do të trajtohej në mënyrë të barabartë me vendet e tjera, e që sipas tij, një gjë e tillë nuk po ndodh

Daniel Serwer, Profesor i Universitetit “John Hopkins”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

E vetmja rrethanë kur Kosova duhet ta marrë në konsideratë propozimin për anëtarësim në ‘Ballkanin e Hapur’, është nëse i ofrohet statusi i barabartë me shtetet e tjera që marrin pjesë, kështu ka deklaruar për Portali D profesori i Universitetit “John Hopkins” në SHBA, Daniel Serwer.

Ai ka thënë se, një gjë e tillë nuk i është ofruar Kosovës, dhe se sipas tij, Kosova nuk duhet as ta marrë parasysh propozimin e jo më të anëtarësohet.

“E vetmja rrethanë në të cilën Kosova duhet të marrë në konsideratë një propozim është nëse i jepet statusi i barabartë me shtetet e tjera sovrane të përfshira. Kjo, unë e kuptoj, nuk i është ofruar Kosovës në Ballkanin e Hapur, kështu që propozimi as që duhet të merret parasysh”, ka deklaruar Serwer.

Serwer, thotë se iniciativa e ‘Ballkanit të Hapur’ nuk është hap i duhur për Ballkanin, dhe se sipas tij, të gjitha aktivitetet që supozohet se mund të kryhen në ‘Ballkanin e Hapur’, mund të bëhen edhe në alternativa të tjera, që janë më të dobishme, siç është procesi i Berlinit apo SEFTA.

“Jo me të vërtetë. Gjithçka që kam dëgjuar për Open Balkans sugjeron që aktivitetet e tij mund të kryhen të gjitha brenda Procesit të Berlinit dhe SEFTA-s”, ka thënë shkurt ai.

Daniel Serwer, Profesor i Universitetit “John Hopkins”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Profesori amerikan e ka komentuar edhe deklaratën e dhënë nga Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, i cili pati thënë se ideja për Ballkanin e Hapur, ishte e Serbisë. Kjo deklaratë sipas Serwer-it, do ta pengojë krijimin e një nisme të tillë, për shkak të reputacionit negativ të shtetit rus në Ballkan.

Sipas tij, Rusia është e mirëpritur vetëm në Serbi dhe në ‘Republika Srpska-n’, në Bosnjë e Hercegovinë.

“Unë mendoj se shumica prej tyre tani do të kenë mendime të dyta rreth anëtarësimit. Rusia nuk është një faktor i mirëpritur në Ballkan këto ditë, me përjashtim të Serbisë dhe Republika Srpska”, është shprehur Serwer.

I pyetur, se a është edhe në interesin e SHBA-së iniciativa e Ballkanit të Hapur, Serwer u shpreh se personalisht mendon se jo, por që të njëjtin mendim nuk e ndan edhe Qeveria amerikane.

“Unë jo, por qeveria amerikane e bën. Ata duhet vendosin se si duhen bërë gjërat”, ka thënë shkurt ai.

Në fund, Serwer thotë se nuk është i sigurtë nëse të gjitha vendet pjesëmarrëse do të qëndrojnë gjatë në një iniciativë të tillë. Sipas profesorit amerikan, Ballkani i Hapur në rrethanat aktuale, është një iniciativë e vdekur.

“Nuk jam i sigurt që të gjitha këto pozicione do të mbahen. Mendimi im është se në rrethanat aktuale, për shkak të agresionit rus në Ukrainë, Open Balkans është një letër e vdekur”, ka deklaruar Serwer.

Samiti i Ohrit, Kosova nuk merr pjesë, SHBA-ja kërkon trajtim të barabartë të shteteve pjesëmarrëse

Ashtu sikurse emërtimi i tij, “Ballkani i Hapur” duhet të jetë i hapur dhe i barabartë për të gjithë shtetet pjesëmarrëse, ka thënë zëvendësndihmëssekretari i SHBA-së, Gabriel Escobar, në deklaratën e dhënë gjatë samitit të kësaj iniciative mbajtur në Ohër.

Kërkesë tjetër e tij ishte që kjo iniciativë të mos shndërrohet në projekt politik, por të ketë në qendër zhvillimin ekonomik për të gjitha vendet që marrin pjesë.

“Ne i përkrahim të gjitha iniciativat ekonomike që e afrojnë regjionin, promovojnë paqe dhe bashkëpunim mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Besojmë që të ketë sukses duhet të jetë e hapur për të gjithë. Secila iniciativë për integrim ekonomik duhet t’i përfshijë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë të barabartë”, ka deklaruar Escobar.

Sipas emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “Ballkani i Hapur” duhet të bashkëpunojë me iniciativa të tjera të ngjashme të rajonit.

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se SHBA-ja e përkrah iniciativën “Ballkani i Hapur”. Foto nga fjalimi i tij përmes një video-lidhjeje në samitin e “Ballkanit të Hapur

“Ka shumë iniciativa për integrime, prandaj ju jap kurajo liderëve që të kërkojnë mënyra si të bashkëpunojnë me iniciativat e tjera që ekzistojnë në rajon. Me këtë nënkupton se nuk duhet të dublifikohen punët dhe do të ketë një integrim më të mirë. E dyta duhet të ketë një plan për zhvillim institucional”, është shprehur ai përmes një videolidhjeje.

Mundësi të mirë, inicativën e “Ballkanit të Hapurt” e ka cilësuar Komisioneri evropian për zgjerim dhe fqinjësi, Oliver Varhelyi. Ai ka thënë se përmes kësaj iniciative do të përshpejtohet rruga e rajonit për në Bashkimin Evropian.

Sipas Varhelyi-t, Ballkani i Hapur do të ketë efekte pozitive edhe në ekonomitë e vendeve pjesëmarrëse, pos kësaj ai ka thënë se kjo është mundësi e mirë për mundësinë e bashkëpunimit në mes të vendeve të rajonit.

Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi

“Nuk ka logjikë të flasim për aderimin në BE dhe për eurointegrim të rajonit nëse në vetë rajonin ende duhet të nostrifikohet diploma juaj, nëse duhet të punoni në një vend tjetër. Nuk vlen asgjë nëse biznesi juaj nuk bënë tregti si duhet, apo t’i shesë shërbimet në rajon”, ka thënë ai.

Në samitin e mbajtur në Ohër, përsëri iu bë ftesë Kosovës që të jetë pjesëmarrëse. Nikoqiri i takimit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se sukseset që do të ketë iniciativa rajonale do ta bëjë atë atraktive për të tjerët, edhe për Kosovën, ftesa për të cilën tha se është e hapur ende.

“I sigurt që përfitimet e Ballkanit të Hapur do të kenë shtetasit e Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës. Besojmë që ky samit do të bëjë kthesë të papritur sa i përket çështjes së Ballkanit të Hapur”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Kosovës i referohej si Prishtinë. Ai ka thënë se pjesë e grupeve punuese për koordinim lidhur me gjetjen e zgjidhjeve për problemet që i shqetësojnë mund të bëhen edhe shtetet e tjera.

“Të mirëseardhur, nëse dëshirojnë të marrin pjesë në formimin e grupeve punuese janë edhe përfaqësuesit e Bosnjë Hercegovinës, Prishtinës, Malit të Zi e kështu me radhë”, ka thënë ai.

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, nënshkruan katër marrëveshje bashkëpunimi, që kanë për qëllim luftën kundër evazionit fiskal, njohjen e diplomave të arsimit të lartë, bashkëpunim kulturor dhe bashkëpunim në fushën e turizmit.

Liderët e Ballkanit, në samitin e “Ballkanit të Hapur”, të mbajtur në Ohër

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Kosova është shtet sovran dhe vendos vetë për fatin e saj, por sipas tij, vendimi për të mos iu bashkuar nismës së Ballkanit të Hapur, vetëm po sjell humbje kohe.

“Do të dëshiroja që të ishim gjashtë dhe dëshiroj që të jemi gjashtë. Por, një gjë është e sigurt, pikërisht sepse është e njerëzve, i vendeve, i të ardhmes.`Ballkani i Hapur` as nuk ndalet as nuk mbyllet. Kjo është mbase pak, por kjo është e sigurt dhe kush i kundërvihet është i destinuar të zhgënjehet dhe kush heziton është i destinuar që të humbë kohë për të përfituar nga kjo nismë”, ka thënë ai.

Që prej kur u shfaq në publik ideja për “Ballkanin e Hapur”, shteti i Kosovës ka refuzuar të jetë pjesë e saj. Javën e kaluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte bërë të ditur se e ka refuzuar ftesën nga kryeministri maqedonas për të marrë pjesë në samitin e Ohrit që kishte nisur të martën e është përmbyllur të mërkurën./Portali D/

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika