Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se edhe të enjten e 10 qershorit, pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira, të cilat gjatë ditës do të shoqërohen me shkarkime rrufesh, reshje shiu, dhe në disa zona mund të ketë stuhi dhe breshër.
Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 12-15 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës pritet të jenë mes 22-25 gradë celsius.
Një mot i ngjashëm do të na shoqëroj deri në fundjavë.
Kushtet biometeorologjike nuk do të jenë të mira, sepse përpos indeksit të lartë UV, apelohet për kujdes edhe gjatë kohës kur fillojnë reshjet dhe të respektohen udhëzimet se si duhet të mbrohemi nga moti me rrufe dhe stuhitë.
Si duhet të ruhemi nga moti ekstrem?
Nëse jeni gjendur jashtë gjatë një stuhie, mos qëndroni pranë një pemë, një shtylle telefoni ose shtyllë flamuri. Distanca e sigurt nga objektet e larta është dyfishi i lartësisë së objektit.
Kur rrufeja kërcënon, futuni brenda një shtëpie, ndërtese të madhe ose një automjeti tërësisht metalik.
Nëse stuhia afrohet kur jeni jashtë në një zonë pyjore, strehohuni nën pemë të vogla dhe qëndroni larg pemëve të larta.
Nëse stuhia afrohet kur jeni jashtë, mos u bëni cak i saj. Mund të jetë fatale. Mos qëndroni në majë të një kodre, në një fushë të hapur ose përgjatë një plazhi.
Gjatë një stuhie me vetëtima, hiqeni ombrellën, qëndroni larg gardheve me tela, pajisjeve me tela për tharje të rrobave, tubacionet metalike, shinat metalike dhe objekte të tjera metalike.
Gjatë një stuhie me vetëtima, qëndroni larg pajisjeve elektrike, kanaleve të ngrohjes, radiatorëve dhe hidraulikës. Hiqni nga priza pajisjet kryesore elektrike.
Rrufeja mund të jetë vdekjeprurëse, por një person i vrarë në dukje rrufeja shpesh mund të ringjallet nga metoda e ndihmës së shpejtë gojë më gojë, masazhi i zemrës ose frymëmarrja artificiale. Nëse disa njerëz goditen nga rrufeja, së pari trajtoni ata që duken të vdekur. Ata që tregojnë shenja jete ndoshta do të shërohen vetë.