Aplikimi i Kosovës nuk do të figurojë në diskutimet e radhës të këtij komitetit të ministrave të Këshillit të Evropës.
Për këtë ka njoftuar deputetja nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi, e cila përmes një postimi në Facebook, tha se kjo mbledhje do të vazhdojë edhe të martën e 14 majit, ku Kosova mund të ketë edhe një shans për t’u bërë temë në takimin e zëvendësministarve.
“Kosova, sot nuk arriti që të jetë temë në takimin e zëvendësministrave që po përgatisin agjendën për takimin e Komitetit të Ministrave që mbahet më 16-17 maj. Kjo mbledhje do të vazhdojë edhe ditën e martë (14 maj), e në ditët në vijim procesi vështirësohet dhe mundësitë shterojnë. Sidoqoftë, EDHE NJË SHANCË për Kosovën”, shkroi ajo.
Musliu – Shoshi e ka quajtur fatkeqësi “është që kemi një kryeministër që çdo vendim e veprim e ka në peshoren e kalkulimit ELEKTORAL, pavarësisht interesit të Kosovës”.
“Për Albinin me rëndësi është propaganda, vota dhe pushteti”, thotë ajo.
Ndryshe, zyrtarja për informim në Këshillin e Evropës, Estelle Steiner, ka konfirmuar për Telegrafin se aplikimi i Kosovës nuk do të figurojë në diskutimet e radhës të këtij komiteti.
Në Strasburg do të mblidhen zëvendësministrat e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës.
Ata do ta përgatisin agjendën për takimin e Komitetit të Ministrave që mbahet më 16 dhe 17 maj, e në të cilin pritet të bëhet edhe votimi përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës.