Lidhja e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës me implementimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të ishte gabim i madh, ka thënë deputeti gjerman, Thomas Hacker.
Deputeti gjerman, Thomas Hacker, përmes një postimi në rrjetin social “X”, i njohur më parë si Twitter, ka thënë se “sërish, duket se shtetet perëndimore nuk kanë mësuar nga gabimet e shkuara”.
Dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, Gjermania dhe Franca, kanë përsëritur të hënën se procedimi i drafstatutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe për interpretim në Gjykatën Kushtetuese do të ishte sinjal i mjaftueshëm për ta siguruar mbështetjen në vendimmarrjen finale të Këshillit të Evropës këtë muaj.
Britania e Madhe është shteti më i fuqishëm brenda KiE-së që i ka ofruar Kosovës mbështetje pa kushte shtesë për anëtarësim në këtë organizatë.
Derisa shtetet e QUINT-it ia kanë përmendur Asociacionin si parakusht, kryeministri Albin Kurti e ka konfirmuar mbështetjen pa kushte edhe të Holandës, Suedisë, Belgjikës dhe Finlandës.
Pas votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare, tani çështja e anëtarësimit të Kosovës kalon në duart e ministrave të Jashtëm të KiE-së, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës. Mbledhja e radhës e ministrave do të mbahet më 16-17 maj.
Linking the membership of #Kosovo to the Council of Europe with the implementation of the Association of Serb Municipalities would be a grave mistake. Again, it seems that some Western countries didn’t learn from past mistakes. (TH)
— Thomas Hacker (@hacker_fdp) May 7, 2024