Ka filluar punën Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve shkollore e mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024.
Në këtë mbledhje u miratuan disa projekt-propozime dhe anëtarët u dakorduan që mbledhja e radhës të mbahet të premten e 17 majit.
Plani i veprimit dhe lista te dëshmitarëve u aprovuan me të drejtë të ndryshimit në çdo kohë, kur është e nevojshme për komisionin.
Kryesuesi i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj, iu kërkoi anëtarë që të përgatiten për takimin e radhës.
“Dhe aty mendoj që secili prej neve duhet të përgatitet mirë e mirë. Që të jemi produktiv, fundi i fundit të mos flasim sa për me fol. Të flasim për aksione konkrete që do t’i marrim në ditët në vijim”, ka thënë Dreshaj.
Pse u formua ky komision?
Ky komision ka për qëllim të evidentojë se a ka pasur lëshime në subvencionimin e teksteve shkollore apo jo, gjatë viti shkollor 23/24.
Kështu, më 4 prill, pas më shumë se tri orë diskutimesh, Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe të mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024.
Themelimi i këtij komisioni ishte propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Para se të votohej themelimi i këtij komisioni, deputetët opozitarë dhe ata të partisë në pushtet zhvilluan debat të ashpër lidhur me ketë çështje.
Subvencionimi
Procesi i pajisjes së nxënësve me tekste shkollore ka hasur në kritika të shumta në shtator të vitit 2023.
Për dallim nga vitet e kaluar, prindërit është dashur që vetë t’i blejnë librat shkollorë për fëmijët e tyre.
Qeveria e Kosovës ka subvencionuar prindërit për blerjen e librave shkollorë, në shumën prej 80 eurosh për fëmijët nga klasa 1-5, për libra dhe mjeteve shkollore, ndërsa nga 30 euro për fëmijët nga klasa 6-9 për blerje të materialeve shkollore.
Për të përfituar nga subvencionimi, prindërit është dashur të aplikojnë përmes platformës e- Kosova.