Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeff Hovenier, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës që ua mundëson qytetarëve kalimin nga patentë shoferët e lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Në një postim në Facebook, Hovenier ka thënë se mbështet përpjekjet që mundësojnë integrimin e mëtejshëm dhe avancojnë vizionin e përbashkët për “një Kosovë gjithëpërfshirëse, multietnike”.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e qeverisë së Kosovës për të lehtësuar dhënien e patentë shoferëve kosovarë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne mbështesim përpjekjet që mundësojnë integrimin e mëtejshëm dhe avancojnë vizionin tonë të përbashkët për një Kosovë gjithëpërfshirëse, multietnike”, ka shkruar Hovenier.
The United States welcomes the Kosovan government decision to facilitate the issuance of Kosovan driver’s licenses to all citizens of Kosovo. We support efforts that enable further integration and advance our shared vision of an inclusive, multiethnic Kosovo.
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) May 8, 2024
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se Ministria e Punëve të Brendshme ka nxjerrë vendimin që u mundëson qytetarëve kalimin nga patentë shoferët e lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.
“Një kohë të gjatë kemi pranuar kërkesat tuaja për marrjen e një vendimi të këtillë. Ne duam t’ua lehtësojmë qytetarëve tanë problemet e përditshme, me të cilat ballafaqohen”, tha kryeministri Albin Kurti, përmes një adresimi në gjuhën serbe.
“Kalimi në patentë shofer të Republikës së Kosovës, mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve”, njoftoi të martën Zyra e kryeministrit të Kosovës, në një komunikatë për media, në të cilën ishte bashkëngjitur linku me video-adresimin e Kurtit.
MPB-ja bëri të ditur se kalimi në patentë shofer RKS nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentës së shoferit, “por vetëm aplikim, të cilin çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për Pajisje me dokumente”.
Dokumentet që duhen përfshirë në aplikim, sipas MPB-së, janë letërnjoftimi, origjinali i patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, certifikata e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer, dëshmi të pagesës së taksës dhe origjinali i patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK-u apo RKS “në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme”.
Ky vendim hyn në fuqi me datën 9 maj dhe është i vlefshëm deri me datën 9 gusht 2024.
Nga sot në të gjitha Qendrat për Pajisje me dokumente do të punohet me orar të rregullt.
Në njoftimin e Ministrisë Punëve të Brendshme thuhet se Agjencia e Regjistrimit Civil e MPB-së do të ndërpresë punën me orar të zgjatur nga dita e sotme.
“Ky vendim është marrë bazuar në procesin e punës të departamenteve përkatëse për rënie të kërkesave për aplikim për dokumente, andaj bazuar në këtë trend është marrë vendim që të punohet vetëm me orar të rregullt”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në Qendrat për Pajisje me Dokumente do të punohet vetëm edhe këtë të shtune, datë 11.05.2024 dhe do të punohet nga ora 08:00 deri ne ora 16:00.