Miratohet pjesërisht kërkesa e ZPS-së për pranimin me shkrim të dëshmive të 6 dëshmitarëve në rastin Thaçi dhe të tjerët

Trupi gjykues ka miratuar pjesërisht kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), për pranimin me shkrim të dëshmive të gjashtë dëshmitarëve në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor njoftoi se më 3 maj, trupi gjykues ka miratuar pjesërisht kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), për pranimin me shkrim të dëshmive të gjashtë dëshmitarëve në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Doyle tha se arsyeja ishte se këta dëshmitarë nuk mund të jepnin dëshmi me gojë për faktin se kishin probleme shëndetësore apo që kishte edhe nga ata që tashmë kanë vdekur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Po më 3 maj, Trupi Gjykues miratoi pjesërisht kërkesën e Prokurorisë për pranimin e dëshmive me shkrim të gjashtë dëshmitarëve të cilët nuk mund të japin dëshmi me gojë për arsye të ndryshme, përfshirë për arsye mjekësore dhe shëndetësore, si dhe për faktin që disa dëshmitarë kanë vdekur”, tha Doyle.

Doyle dha informacione edhe për dëshmitarin i cili ishte planifikuar të jepte dëshmi përmes video-lidhjes e që më pas u vendos që të pranohet dëshmia e tij me shkrim, duke e anuluar pjesëmarrjen e tij.

“Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 3 maj, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Prokurorisë që një dëshmitar ta dorëzonte një pjesë të dëshmisë së tij me shkrim dhe të jepte dëshmi me gojë përmes video-lidhjes, këtë të premte, më 10 maj. Gjykatësit konstatuan se kjo do të kontribuonte në kryerjen e shpejtë të procesit gjyqësor sepse shkurtonte kohën e nevojshme për dhënien e dëshmisë dhe ndihmonte mirëqenien e dëshmitarit, i cili ka probleme shëndetësore të rënda. Sidoqoftë, në seancën e djeshme gjykatësit vendosën të pranonin deklaratën me shkrim të dëshmitarit, pa u marrë në pyetje nga ekipet e mbrojtjes, sikurse ishin pajtuar palët. Për rrjedhojë dëshmia përmes videolidhjes e caktuar për këtë të premte u anulua”, tha ai,

Tutje, zëdhënësi i DhSK-së njoftoi se kryegjykatësi në këtë çështje ka thënë se deri më 6 maj 2024 janë pranuar dëshmitë e 105 dëshmitarëve që 45 prej tyre kanë qenë me shkrim.

“Kryegjykatësi iu drejtua palëve dhe pjesëmarrësve në sallën e gjyqit me disa komente të përgjithshme lidhur me ecurinë e procesit gjyqësor dhe numrin e dëshmive të dhëna deri tani. Ai theksoi se 60 dëshmitarë kanë dhënë dëshmi në seanca gjyqësore, ndërsa dëshmitë e 45 dëshmitarëve janë pranuar me shkrim, pa paraqitjen e tyre për të dhënë dëshmi në gjykatë, duke e çuar kështu në 105 numrin e dëshmitarëve deri më 6 maj”, tha ai.

Doyle tregoi edhe për njoftimet e tjera që kishte bërë Charles Smith III, duke shtuar se ai ka thënë që deri më tani në këtë çështje gjyqësore janë lëshuar 367 vendime me shkrim ose me gojë e po ashtu janë bërë mbi 400 parashtrime nga palët.

“Kryegjykatësi tha gjithashtu se, që prej fillimit të gjykimit, Prokuroria, Mbrojtja ose Mbrojtësi i Viktimave kanë dorëzuar 427 parashtrime të protokolluara ose parashtrime me kërkesa për vendime, dhe se Trupi Gjykues ka lëshuar 367 vendime me shkrim ose me gojë deri tani. Duke vënë në dukje kompleksitetin e çështjes gjyqësore, gjykatësi u shprehu palëve dhe pjesëmarrësve mirënjohjen e Trupit Gjykues për bashkëpunimin e tyre deri tani për të ndihmuar Trupin Gjykues që gjykimi të jetë jo vetëm i drejtë, por edhe i shpejtë dhe efikas”, tha Doyle duke shtuar se pas kësaj ka dhënë dëshmi dy dëshmitarë të tjerë të cilët kanë qenë me masa mbrojtëse e që kanë folur lidhur me arrestimin, ndalimin dhe keqtrajtimin që sipas ZPS-së ua kishin bërë anëtarët e UÇK-së.

Ndërsa, në çështjen gjyqësore ndaj Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala, zëdhënësi i DhSK-së bëri të ditur se gjykatësi i procedurës paraprake ka miratuar kërkesën e të akuzuarit të fundit për zgjatjen e afatit që mbrojtjes së tij iu është përcaktuar lidhur me procesin e nxjerrjes së materialeve.

“Gjykatësi i Procedurës Paraprake konstatoi se janë paraqitur arsye të vlefshme, pasi z. Shala synon të kundërshtojë pranueshmërinë e një audioincizimi dhe i duhet kohë për të analizuar siç duhet të gjitha materialet përkatëse pas nxjerrjes së tyre. Afati i ri për dorëzimin e kërkesave dhe kundërshtimeve nga Mbrojtja lidhur me procesin e nxjerrjes së materialeve është e hëna, 13 maj”, tha zëdhënësi i DhSK-së.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika