Zyrtarët izraelitë thanë sot se nuk po shohin përparim në negociatat me Hamasin për armëpushim, të ndërmjetësuara nga Egjipti dhe Katari, por delegacioni izraelit do të vazhdojë të qëndrojë në Kajro, ku po zhvillohen këto bisedime.
Ndërkohë, shefi i agjencisë amerikane të zbulimit CIA, William Burns, po qëndron në Izrael për të diskutuar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe homologun e tij izraelit të Mosadit rreth mundësisë së pezullimit të operacionit izraelit në qytetin e Rafahut, në jug të Rripit të Gazës, në këmbim të lirimit të pengjeve, i tha një zyrtar izraelit agjencisë së lajmeve Reuters.
Shtetet e Bashkuara pezulluan përkohësisht dërgimin e bombave të fuqishme në Izrael javën e kaluar, me gjasë si përgjigje ndaj ofensivës izraelite në Rafah. Kjo është ndalesa e parë e ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin, që nga sulmi i Hamasit ndaj vendbanimeve izraelite më 7 tetor.
Forcat izraelite morën nën kontroll kalimin kufitar në Rafah të martën, ndërsa sot ato njoftuan se kanë zbuluar infrastrukturën e Hamasit në disa zona në pjesën lindore të qytetit, ku njësitë ushtarake po kryejnë operacione, ndërkohë që sulmet ajrore izraelite vazhduan në pjesë të tjera të Rripit të Gazës.
Sipas palëve të angazhuara në negociatat për armëpushim në Kajro, propozimi i tanishëm përbëhet nga tri etapa. Faza e parë përfshin një armëpushim gjashtëjavor, futjen e një sasie më të madhe ndihmash në Gazë dhe kthimin e 33 pengjeve izraelite, të gjallë apo të vdekur, si dhe lirimin nga burgjet izraelite të 30 grave dhe fëmijëve palestinezë për çdo peng izraelit të liruar. /VoA