Xi në Serbi premton thellim të bashkëpunimit dhe mbështetje për çështjen e Kosovës

Në vizitën e tij në Beograd, presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq nënshkruan një deklaratë për ngritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në nivelin e partneritetit strategjik, duke përshkruar Serbinë si vendin e parë në Evropë me të cilin Kina po ndërton një komunitet me të ardhme të përbashkët

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, u prit në Beograd nga homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Është vendi i parë në Evropë me të cilin Kina po ndërton një komunitet me të ardhme të përbashkët – kështu e përshkroi presidenti kinez, Xi Jinping, Serbinë, gjatë vizitës së tij në Beograd, më 8 maj.

“Serbia dhe Kina e mbështesin fort njëra-tjetrën në interesat dhe shqetësimet e përbashkëta dhe ne kemi një marrëdhënie të fortë politike që kontribuon në këtë komunitet”, ka thënë Xi.

Bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai nënshkroi një deklaratë për ngritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve nga niveli i partneritetit strategjik në “ndërtimin e komunitetit të Serbisë dhe Kinës me një të ardhme të përbashkët në epokën e re”.

“Ky është niveli më i lartë i bashkëpunimit mes dy vendeve”, ka deklaruar Vuçiq për mediat, pas një sërë takimesh dypalëshe që zhvilloi me Xinë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Xi arriti në Beograd mbrëmjen e 7 majit dhe, përveç takimeve me Vuçiqin, dëshmoi edhe nënshkrimin e më shumë se 30 marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe të kontratave tregtare.

“Mbështetja” e Xi-së për çështjen e Kosovës

Mbrojtja e “interesave themelore dhe afatgjate” ishte një tjetër mesazh i presidentit kinez në Beograd.

Ai tha se Kina dhe Serbia do ta “kundërshtojnë së bashku hegjemoninë dhe politikën e fuqisë”.

Duke vlerësuar se besimi politik i dy vendeve është “i fortë si guri”, dhe se bashkëpunimi praktik mes tyre ka përparuar, Xi tha se Beogradi dhe Pekini kanë një koordinim të ngushtë për çështjet ndërkombëtare.

“Kina mbështet Serbinë në respektimin e pavarësisë së saj dhe ndjekjen e një rruge të zhvillimit që u përshtatet kushteve të saj, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial sa i përket çështjes së Kosovës”, tha presidenti kinez për mediat.

Në anën tjetër, Vuçiq, përmes një deklarate të përbashkët me Xinë, përsëriti mbështetjen e tij për “politikën e një Kine”, sipas së cilës, ishulli i Tajvanit, i cili e konsideron veten shtet sovran, është pjesë e territorit kinez.

Vuçiq ka thënë se “Serbia është mike besnike e Kinës”.

“Kur dikush na pyet për çështjet në Kinë, rreth Tajvanit, Ksinjiangut, Hong Kongut… përgjigjet tona janë shumë të thjeshta, të drejtpërdrejta dhe në përputhje me parimet e politikës kineze dhe të së drejtës publike ndërkombëtare. Kështu ka qenë, kështu do të jetë”, tha presidenti serb.

Deri më tani, Serbia nuk i është bashkuar asnjë deklarate ndërkombëtare kundër Kinës, edhe pse Pekini zyrtar është në shënjestër të kritikave për gjendjen e të drejtave të njeriut dhe përballet me akuza për shtypjen e ujgurëve – një pakicë myslimane që jeton në provincën Ksinjiang.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika