Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar Ditën e Evropës, e cila njihet si hapi i parë i Bashkimit Evropian.
Rama, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka uruar duke thënë se kjo ditë e gjen Shqipërinë më afër se kurrë ëndrrës së vjetër shqiptare.
“Dhe në këtë Ditë të Evropës, e cila e gjen Shqipërinë më afër se kurrë ëndrrës së vjetër shqiptare me diellin që lind andej nga perëndon, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.
Ndryshe, sa i përket historikut, sot është Dita e Evropës, e cila tradicionalisht festohet më 9 maj të çdo viti. Në fillim, ajo u caktua nga Këshilli Evropian si Dita e Evropës, por më vonë Bashkimi Evropian e përcaktoi 9 majin në përkujtim të deklaratës Schumanit të vitit 1950.
Dita e Evropës është data kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si BE, Bashkimi Evropian.
Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Shuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut që do të ishte “themeli i parë konkret për një Federatë të ardhshme Evropiane”.
Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën.
Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake. Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si “Dita e Evropës”.