“Kosova mund të bëhet pjesë e nismës rajonale ‘Ballkani i hapur’ vetëm në koordinim dhe me garancat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Kështu ka thënë ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ideja rajonale është vetëm për bashkëpunim ekonomik.
Sipas tij, çdo nismë rajonale është e përkohshme, pasi orientimi i Kosovës është integrimi në Bashkim Evropian.
“Kosova duhet të bashkërendojë politikën e saj të jashtme me partnerin e saj strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me Bashkimin Evropian”, shtoi ai.
Hoti, njëherësh deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka theksuar se në qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja, në takimin në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më katër shtator të vitit 2020, kishin pranuar kërkesën e SHBA-së që Kosova të bëhet pjesë e nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.
“Pasi morëm garancën e tyre se, pjesëmarrja jonë në këtë nismë do të jetë mbi baza plotësisht të barabarta dhe se kjo nismë rajonale, dhe cilado nismë tjetër, ka sukses vetëm kur marrin pjesë të gjitha vendet. Këto dy parime, si dhe faktin se kjo nismë është vetëm për bashkëpunim ekonomik, u theksuan dje në Ohër shumë qartë nga zyrtarët amerikan”, shtoi ai.
Siç ka treguar Hoti, në terma praktik, parimi i parë nënkupton se Serbia detyrohet ta njoh subjektivitetin shtetëror të Kosovës në marrëdhëniet rajonale në çdo aspekt sikurse të çdo vendi tjetër, pasi pjesëmarrja e palëve është në baza plotësisht të barabarta, kurse parimi i dytë nënkupton se Serbia nuk mund të dominojë tregun rajonal kur të gjitha vendet e rajonit marrin pjesë në këtë nismë.
Nisma “Ballkani i Hapur”, është inicuar nga krerët e tri shteteve fqinje, të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, në tetor të vitit 2019.

Ideja rajonale, që fillimisht është quajtur “Mini-Shengen”, sipas iniciuesve të saj, parasheh lëvizje të lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis të tria vendeve.
Në kuadër të kësaj nisme, tri shtete fqinje kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.
Ato përfshijnë lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.
Udhëheqësit e tri shteteve kanë planifikuar që gradualisht të krijojnë edhe një treg të përbashkët për 12 milionë banorë – aq sa kanë të tria vendet bashkë.
Ndërkaq, nga një janari i vitit 2023, është rënë dakord që edhe kontrollet kufitare midis Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të hiqen.
Përfaqësuesit e tri vendeve pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje të reja.