Më 9 maj bëhen katër vjet kur Kosova ka humbur legjendën e futbollit, Fadil Vokrrin.
Ai ishte njëri nga futbollistët më të mirë shqiptar dhe më i merituari për formimin e Kombëtares së Kosovës në futboll dhe për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në UEFA dhe FIFA.
Mëngjesin e 9 qershorit të vitit 2018, ndërsa po ushtronte në palestër, Vokrri kishte pësuar një sulm në zemër ku si pasojë e kësaj ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare.
Lamtumira e fundit Vokrrit i është dhënë me nderimet më të larta shtetërore të nesërmen, më 10 qershor, ndërsa ajo ditë ishte shpallur ditë zie kombëtare.
Për nder të veprimtarisë së Vokrrit, nga ora 10:30 do të bëhen homazhe pranë varrit të tij.
Ndërkaq, Kombëtarja e Kosovës në futboll do ta presë në shtëpi ekipin e kombëtares së Irlandës së Veriut. Në këtë përballje, Kombëtarja e Kosovës hyn pas fitores në udhëtim ndaj Qipros dhe një humbje në shtëpi ndaj Greqisë.
Fadil Vokrri ka lindur më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë. Me futboll kishte nisur të merrej si 15-vjeçar, kurse si 17-vjeçar nisjen e bëri në KF “Llapi” në Podujevë.
Më pas në vitin 1980 ka kaluar tek KF “Prishtina”, ku kishte luajtur 84 ndeshje dhe ka shënuar 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë në fanellën e Prishtinës ka pasur 88 paraqitje dhe ka realizuar 22 gola.
Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin. Në vitin 1984, ai debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që ishte paraqitur në Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënimin e gjashtë golave.
Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola. Ai me meritë e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi.
Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku kishte luajtur me mjaft sukses në edicionet e viteve 1990-1992. Pas karrierës në kampionatin turk ai ishte rikthyer në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës.
Pas çlirimit të Kosovës, ai ishte kthyer në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij, Prishtina, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 e mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA.
Më 15 janar 2016, Vokrrit iu besua mandati i tretë katërvjeçar si kryetar i FFK-së. Ai ishte i diplomuar në Fakultetin e Menaxhmentit dhe Biznesit, kurse përveç gjuhës amtare zotëronte edhe gjuhët, frënge, turke dhe serbo-kroate.