Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin jorezident të Irlandës për Kosovë në Budapest, Ronan Gargan.
Në takim u diskutuan marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik, tregtar, por edhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Irlanda tani ka Presidencën e Këshillit të Evropës dhe kryeministri Kurti theksoi mbështetjen që i duhet Kosovës për anëtarësim të suksesshëm në këtë organizatë tejet të rëndësishme për promovimin e të drejtave të njeriut, lirisë dhe demokracisë në kontinentin tonë.
Ambasadori, duke e uruar kryeministrin për progresin në ekonomi dhe në indikatorët e demokracisë, e falënderoi për rreshtimin me Bashkimin Evropian në dënimin e agresionit të pajustifikuar dhe të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë dhe për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Ambasadori, po ashtu, njoftoi për ardhjen për vizitë në Kosovë të ministrit irlandez për Çështje Evropiane, z. Thomas Byrne, më 4 korrik.
Gjithashtu, edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës për integrim evropian, zhvillim dhe dialog, Besnik Bislimi dhe ambasadori Gargan, të mërkurën kanë zhvilluar një takim, në të cilin kanë diskutuar për rritjen e bashkëpunimit ekonomiko-kulturor dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Irlandës dhe Kosovës.
Bislimi në takim me ambasadorin e Irlandës, diskutojnë për forcimin e marrëdhënieve bilaterale