Azdren Shala, anëtar i Partisë Socialdemokrate (PSD), ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtit, për jo-transparencë në procesin e negociatave për anëtarësimin në Këshillin e Evropës (KiE).
Shala në emisionin Rreth e Rrotull, ka thënë se kryeministri Kurti që nga fillimi e ka ditur kushtin e themelimit të Asociacionit për t’u anëtarësuar në KiE.
“Kemi të bëjmë me një kryeministër jotransparent, duke mos tregua prej fillimi që kushti është Asociacioni për anëtarësim në Këshill të Evropës. Kurtit iu është thënë kjo nga fillimi nga zyrtarët evropian, ka vendos neve popullit ma na shit populizëm, siç di ta bëj ai. Dhe tash kemi kushtin e që me shumë gjasë nuk e kalojmë fazën tjetër për anëtarësim në KiE. Që Kurti e ka ditur këtë, e ka konfirmuar ambasadori gjerman, i cili ka thënë se ia kemi bërë të ditur që në fillim se duhet të themelohet Asociacioni ose të bëhen hapa para në këtë çështje që jep sinjal se Kosova po ecë në këtë çështje”, ka deklaruar Shala.
Ai gjithashtu ka shtuar se Qeveria është në prag të pranimit të Asociacionit për t’u anëtarësuar në KiE, duke e cilësuar këtë si gabimi më i madh politik nga ana e kryeministrit Kurti.
“Kurti gati është me pranu Asociacionin për me hy Kosova në Këshill të Evropës, me këtë Kosovën e qet gjithqysh palë e dëmtuar. Themelimi i Asociacionit brenda këtu neve na pamundëson funksionimin normal të shtetit. Uroj të mos e bëj Kurti, por nëse e bën ketë gabim do të ishte gabimi më i madh në historinë politike të tij”, ka thënë ai.
Shala ka theksuar se shkëmbimi i Asociacionit me anëtarësimin në KiE për Kosovën do të ishte fatal dhe do të sillte dëme të mëdha për vendin.
“Shkëmbimi i Asociacionit me anëtarësim në KiE, për Kosovën është fatale, është humbje e madhe dhe këtë duhet ta shpjegojë vetëm Qeveria sesi erdhëm deri këtu. Shkëmbim i padrejtë asgjë nuk është Këshilli kur e krahasojmë më dëmin shumë më e vogël është dobia sesa dëmi që na shkaktohet me Asociacionin”, ka deklaruar Shala.