Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një takim online me ish-presidenten e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey, e cila kishte shërbyer edhe si ministre e Punëve të Jashtme në Zvicër.
Në takimin mes Kurtit dhe ish-presidentes Calmy-Rey, të cilën ZKM e ka shquar si “një mbështetëse e palëkundur e Kosovës dhe pavarësisë së saj”, ZKM thotë se ajo ndau njohuritë e përvojat e saj dhe shprehu përkrahjen e vazhdueshme.
Po ashtu, në mes tyre është folur edhe për marrëdhëniet në mes të dyja vendeve dhe me këtë rast Kurti e ka falënderuar për mbështetjen e saj që ka treguar ndaj Kosovës.
“Në takim u diskutua dhe rreth marrëdhënieve të fuqishme dypalëshe mes Kosovës dhe Zvicrës, duke theksuar vlerat e përbashkëta dhe lidhjet historike që kanë bashkuar për një kohë të gjatë të dyja vendet. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij ndaj znj. Calmy-Rey për mbështetjen e palëkundur, të cilën e ka treguar që përpara pavarësisë së Kosovës, dhe theksoi ndikimin pozitiv të avokimit të saj gjatë viteve” – thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Në takim është biseduar edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në nxitjen e zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
“Çështjet kryesore të trajtuara gjatë diskutimit përfshinin po ashtu dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në nxitjen e stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës në integrim evropian” – njofton ZKM.
Kurti i ka shprehur mirënjohje ish-presidentes Calmy-Rey edhe për mbështetjen e Zvicrës ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.