Pos sulmit terrorist në Basnjkë, sulmet e 29 majit në Zveçan janë ndër ngjarjet më të dhunshme në veri gjatë viteve të fundit.
Të maskuar, të armatosur e të dhunshëm, ata që në fillim konsideroheshin si protestues lanë të plagosur dhjetëra ushtarë të KFOR-it.
Një i ri serb nga Zveçani që dyshohet se ka marrë pjesë në dhunën në Zveçan është arrestuar sot në pikën kufitare të Jarinjes.
I riu me inicialet S.M është sjellë në stacionin policor në jug të Mitrovicës.
Aty ka qëndruar për disa orë, e në të njëjtën kohë në oborr ka qëndruar një çift, familjarë të tij, por që nuk e kanë konfirmuar nëse janë prindërit.
Në oborr fillimisht u shfaq avokati Nebojsha Vlajiq, i cili sipas mediumit serb “Kossev” fillimisht ishte ftuar nga familjarët si avokat.
I njëjti për RTV Dukagjini nuk pranoi të japë asnjë informacion duke thënë se më vonë vjen avokati i përcaktuar.
Dhe ajo edhe ndodhi, rreth orës 16:00 bashkë me njërin nga familjarët u paraqit avokatja.
Jelena Krivokapi është emri i avokates së caktuar për serbin e arrestuar në Jarinjë. E njëjta tashmë ka hyrë në stacionin policor në jug dhe hetuesit e Policisë së Kosovës të Departamentit për Krime të Rënda tashmë kanë nisur intervistimin.
Që i riu serb dyshohet për dhunën në Zveçan e ka konfirmuar vet Nebojsha Vlajiq, ndonëse nuk është caktuar avokat. Kështu ka raportuar “Kossev” duke e cituar Vlajiqin të ketë thënë se autoritetet kosovare 30-vjeçarin nga Zveçani e akuzojnë për pjesëmarrje në përleshjet 29 majit të vitit të kaluar para komunës së Zveçanit.