Lista Serbe ka reaguar pas arrestimit nga Policia e Kosovës të një serbi, që dyshohet se ka marrë pjesë në dhunën në Zveçan, më 29 maj, ku mbetën të plagosur dhjetëra ushtarë të KFOR-it.
Sipas tyre, i dyshuari me inicialet S.M., është arrestuar pa e ditur asnjë nga familjarët e tij arsyet e arrestimit.
“Kështu është sot në vendkalimin në Jarinje, arrestohet Sllobodan Miletiç, pa i ditur asnjë nga familjarët arsyet e arrestimit të tij”, thuhet në reagimin e tyre.
Ata kanë kërkuar lirimin e tij dhe “të drejtën për t’u mbrojtur nga akuzat e rreme”.
“Presim reagimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe përfshirjen urgjente të EULEX-it në këtë rast, për të garantuar respektimin e të drejtave të z. Miletiç dhe prezumimin e pafajësisë”, thuhet më tej në reagimin e tyre.