Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka marrë vendim për krijimin e një ekipi inspektues-hetues për të hetuar procesin e gradimit të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter” që u mbajt më 4 maj ku Dukagjini raportoi se pati dyshime për favorizime dhe parregullsi.
“Kryeshefi i IPK-se, Kushtrim Hodaj ka marre vendim per krijimin e nje ekipe te perbashkët inspektuese-hetuese per te hetuar dhe inspektuar tere procesin e gradimit nga momenti i shpalljes deri ne fazën aktuale. IPK varsisht nga te gjeturat do te ndermerr veprimet e nevojshme bazuar ne kompetencat dhe autorizimet ligjore”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Ky njoftim i IPK-së vjen pasi thotë se ka pranuar disa ankesa dhe informacione nga burime të ndryshme për mbarëvajtjen e procesit te ketij konkursi me pretendime per shkelje te ndryshme duke thënë se hetuesit e IPK-se fillimisht kanë analizuar dhe verifikuar informacionet fillestare per parregullsi në proces dhe kanë marrë vendimin për krijimin e këtij grupi.
IPK-ja, siç thuhet në njoftim, varësisht nga të gjeturat do të ndërmerrë “veprimet e nevojshme bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore”.
“Policia e Kosoves ka hapur nje konkurs per gradimin e zyrtarve te Policise në graden e rreshterit kurse më 04.05.2024 shte mbajtur testi me shkrim per këte konkurs. Inspektorati Policor i Kosoves pranuar disa ankesa dhe informacione nga burime te ndryshme per mbarevajtjen e procesit te ketij konkursi me pretendime per shkelje te ndryshme. Hetuesit e IPK-se fillimisht kanë analizuar dhe verifikuar informacionet fillestare per parregullsi ne proces”, thuhet tutje.
Ndryshe, Dukagjini ka raportuar ekskluzivisht se në konkursin për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter”, gjegjësisht gjatë testit me shkrim, ka pasur keqpërdorime e parregullsi; nga favorizimi i familjarëve e të preferuarve të zyrtarëve të lartë, aplikimi në kundërshtim me rregullat i gjeneratës së 54-të e deri në rrjedhjen e testit nga njerëz me ndikim nga institucionet publike e politike, gjegjësisht, brenda Policisë së Kosovës.
- Konkursi për gradimin e policëve – “Të fortët” e Policisë e shpërndajnë testin e grupit A para kohe
- Konkursi për rreshterë, vazhdon favorizimi i gjeneratës me familjarë të eprorëve policorë
E për këtë, Dukagjini ka adresuar pyetje edhe te vetë Policia e Kosovës, e cila ka thënë se është “e hapur për çfarëdo rishikimi apo hetimi” në lidhje më këtë rast.
Por, sa i përket rrjedhjes së testit, respektivisht, testit të grupit A, nga Policia kanë thënë se “rrjedhja e testit do të ndikonte njëjtë për të gjithë kandidatët”, duke konkluduar komplet ndryshe nga raportimi i Dukagjinit, pasi nuk ka mundësi të ndikonte njëjtë te të gjithë kandidatët, kur testi A u është dhënë vetëm disa personave nga gjenerata e 54-të dhe disa të tjerëve të lidhur me zyrtarë të lartë brenda vetë policisë dhe politikës.
“Andaj, bazuar në procedurat dhe masat e ndërmarra me kohë, ju informojmë se nuk ka asnjë informacion se ka pasur rrjedhje të testit A apo testit B, realisht është një test i njëjtë dhe rrjedhja e testit do të ndikonte njëjtë për të gjithë kandidatët”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Më tej, ata kanë thënë se “faza e përgatitjes së testit dhe printimit të tij është e monitoruar me kamera”, teksa kanë shtuar se në rast se vërtetohet se ka pasur ndonjë shkelej nga ndonjë zyrtari policor, do të merren masa.
“Po ashtu, faza e përgatitjes së testit dhe printimit të tij është e monitoruar me kamera, është numër i kufizuar i personave që marrin pjesë në printim, si institucion jemi të hapur për çfarëdo rishikimi apo hetimi sa i përket kësaj çështjeje.
Ndërsa, sa i përket mbarëvajtjes së procesit, personeli i kyçur në monitorim pas përfundimit i raporton të gjitha të gjeturat dhe në rast se vërtetohet se ka shkelje nga ndonjë zyrtar, merren masa konform procedurave, Udhëzimit Administrativ”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.
E nëse ka pasur ankesa apo vërejtje, nga Polica kanë thënë “se secili zyrtar policor që është futur në testim ka pasur fletën për paraqitjen e vërejtjeve dhe ka mundur t’i paraqesë ato”, teksa Dukagjini ka mësuar se shumë kandidatë që kanë marrë pjesë në testim janë ankuar në Inspektorat Policor të Kosovës.
“Raportimet për keqpërdorime trajtohen me shumë seriozitet dhe korrektësi”, thuhet në përgjigjen e tyre dërguar redaksisë Dukagjini, teksa kanë shtuar se përzgjedhja e kandidatëve bëhet në mënyrë të drejtë. Policia e Kosovës ofron kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në procesin e gradimit, pa marrë parasysh përkatësin etnike, fetare, gjinore, racore etj, andaj nuk ka asnjë favorizim për asnjë pjesëtar të Policisë së Kosovës. Si në çdo proces edhe në këtë, pas përfundimit të të gjitha fazave testuese, bazuar në nevojat për plotësim të pozitave, do të bëhet përzgjedhja e kandidatëve, duke respektuar rezultatin përfundimtar nga lista meritore”.
Kurse, në lidhje me këto raportime të Dukagjinit, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala dhe ish-nënkoloneli i Policisë, Refki Morina, kanë kërkuar që IPK-ja dhe Prokuroria e Shtetit t’i nisin hetimet dhe ky konkurs të kthehet në pikën zero.