Pasi vazhdoi rrugën me mendimin se ajo e dërgon në autostradë, shoferi i kësaj veture vendos që të kthehet mbrapa.
Kjo pasi shenja e vendosur në magjistralen Pejë-Prishtinë, pak para hyrjes në autostradë, e ka bërë konfuz shoferin duke e detyruar të zgjedhë gabimisht rrugën, e cila në fakt të dërgon në fshatra të Fushë-Kosovës.
E, ky veprim i shoferit, bën që të shkaktohet aksident.
Por, ky, sipas banorëve të kësaj zone, nuk është aksidenti i vetëm që shkaktohet në këndeej si pasojë e pozicionit të kësaj tabele.
Pronar të bizneseve afër kësaj hapësire thonë se aksidentet në këtë zonë nuk janë të rralla.
Eksperti i komunikacionit Bekim Ahmeti, vlerëson se tabela e cila lajmëron se pas 300 metrash gjendet hyrja për në autostradë është e vendosur të pozitë të gabuar.
“N’qofse e masim distancën nga kyçja në autostradë prej informacionit të shenjës të lajmrimit, është më tepër se 300 metra e që nuk shkon me atë distancë aty. Dhe e dyta që aty kemi djathtas të hyrë në Miradi e që de-facto, simbolizon se mund të hysh për Shkup”, tha Bekim Ahmeti, njohësi i komunikacionit.
Ahmeti vlerëson se tabelës duhet t’i ndërrohet vetëm vendi.
“Vetëm të shtyhet më përpara, të shihet se a është 300 metra a jo, në rast se e analizojmë, duhet me u vendos ose përtej urës, ose të largohet krejt”, tha Ahmeti.
Sipas banorëve lokal, si pasojë e kësaj tabele, ndodhin disa aksidente brenda çdo viti.