Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur në takim përfaqësues të CSU-së. Përveç përfaqësuesve, ajo ka takuar dhe personalitete nga kultura, biznesi dhe politika në Gjermani, të udhëhequr nga ish-kryeministri bavarez, Dr. Günther Beckstein.
Gërvalla ka thënë se kanë diskutuar për proceset që Kosova po i kalon, përfshirë dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës (KiE).
Për këtë, ministrja ka thënë se kanë ndarë mendimin që Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim duke qenë shembull të respektimit të të drejtave të komuniteteve pakicë, liri të shprehjes dhe atyre fetare.
“Marrëdhëniet e fuqishme bilaterale, miqësia mes popullit të Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, situata politike dhe e sigurisë në vend dhe rajon, të arriturat e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik, ishin temat kryesore të këtij takimi”, ka thënë Gërvalla.