Të enjten e nëntë qershorit, në pikën kufitare në Jarinje, Policia e Kosovës ka ndaluar një të dyshuar me shtetësi serbe, punëtor i integruar nga strukturat paralele në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe të Infrastrukturës.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se i dyshuari pas këtij rasti është dërguar në mbajtje.
Sveçla ka bërë të ditur se pas këtij aksioni, janë konfiskuar katër mijë fishekë dhe ka përgëzuar Policinë e Kosovës për punën dhe profesionalizmin e tyre të lartë.
“4 mijë fishekë i konfiskuam. Pra, edhe një aksion tjetër shumë i suksesshëm e i rëndësishëm për forcimin e sovranitetit të vendit tonë”, ka shkruar Sveçla.