Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 25-vjetorin e masakrave në fshatrat e Pejës, në të cilat u masakruan 95 civilë shqiptarë.
Haradinaj ka thënë se këto masakra janë një ndër ngjarjet dhe dhimbjet më të mëdha që ka përjetuar popull ynë.
Sipas tij, krimet e Serbisë nuk mund të harrohen e as të falen, dhe se drejtësia duhet të vendoset sa më parë.
“Sot, në këtë përvjetor, kemi kujtuar e nderuar edhe eprorët e luftëtarët e kësaj ane, të rënë në beteja të ndryshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin: Skender Çeku nga Qyshku; Jahë Kabashi, Blerim e Bekim Kelmendi, dhe Rifat Veseli nga Llabjani”, ka thënë Haradinaj.
Ai është shprehur se ngjarje të dhimbshme, sikur masakra që përkujtuam sot, dëshmojnë për rrugën e vështirë deri në liri.
“I përjetshëm kujtimi për të rënët”, ka thënë kreu i AAK-së.
Kujtojmë që më 14 maj 1999 janë masakruar 44 civilët në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan të Pejës.