“1588 municione fishek, 10 armë të gjata, 62 copë shokbomba 1,5 kg eksploziv, 4 radiolidhje, 1 shurdhues, 33 karikatorë, 7 maska, 1 gaz maskë, 1antiplumb, 1 uniformë e ushtrisë serbe, 10 uniforma të policisë së Kosovë”.
Ky është armatimi i konfiskuar nga Polica e Kosovës gjatë një aksioni në veri të vendit, ka bërë të ditur drejtori i Përgjegjshëm i PK-së, Gazmend Hoxha, i cili ka theksuar se është arrestuar një ish-polic, pasi dyshohet se ka lidhje me armët e konfiskuara.
Hoxha në një konferencë për media nga veriu i vendit ka thënë se Policia e ka siguruar informacionin për këtë rast nga qytetarët dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
“Pas informacioneve të pranuara nga qytetarët dhe nga AKI-ja, Policia ka kryer një operacion në rrethinën e Zveçanit, respektivisht në afërsi të urës të hekurt, ka pjesa e Rudarës… Policia do vazhdojë hetimet për të zbuluar grupin terrorist, një person është duke u intervistuar, i njëjti ka qenë pjesë e policisë së Kosovës”, ka thënë Hoxha.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ky lloj armatimit të konfiskuar është i ngjashëm me armatimin e përdorur në sulmin terrorist të 24 shtatorit, në Banjskë të Zveçanit.
“Lloji i armatimit është i ngjashëm me atë të Banjskës, një pjesë e këtij armatimi janë përdorur më herët për të shkaktuar ndjenjë pasigurie tek qytetarët. Situata e tanishme në këtë pjesë është e qetë falë sukseseve të policisë, kemi më pak armë në duart e tyre e më shumë informata të grupit të Radojçiqit që i vazhdojnë trajnimet në Serbi e siç duket edhe në disa në pjesë të Kosovës”, ka thënë Sveçla.
Sfeçla: Vendi ku është gjetur armatimi ka qenë lokacion logjistik për barrikadat
Ministri Sfeçla ka folur edhe pas konferencës së jashtëzakonshme.
Ai ka vizituar dy objektet ku edhe është gjetur armatimi i cili u prezantua në konferencë.
Ai ka thënë se vendi ku është gjetur ka qenë lokacion logjistik për barrikadat e më hershme.
“Është e qartë se kjo ky ka qenë lokacion logjistik për barrikadat e mëhershme por edhe depo apo vendstrehim për armatim luftarak me të cilin ata kanë planifiku që të sulmojnë institucionet e Kosovës, sulmojnë policinë e Kosovës, bëjnë rezistencë ndaj shtrirjes së rendit dhe ligjit në këtë pjesë”.
‘Ashtu siç thamë edhe më herët, një person, një i dyshuar është duke u intervistuar”, ka thënë Sfeçla.
Ai ka shtuar se presin që në bazë të të gjeturave të policisë, të Inspektoratit Policorë të Kosovës, “të merren vendime meritore nga Prokuroria e Republikës së Kosovës”.
Ai është pyetur nga gazetarët se a mund të jetë përdorur ai lokacion kundrejt policisë së Kosovës.
“Ka dyshim të bazuar që kjo zonë është përdorur edhe në sulmin ndaj policisë së Kosovës. Ju kujtohet rasti kur njësitet policore të Kosovës janë sulmuar në afërsi të urës së hekurit në komunën e Zveçanit dhe po besohet se kjo është pjesë e të njëjtës ngjarje”, ka thënë ministri Sfeçla.
Ai gjithashtu ka thënë se Agjencia e Forenzikës është duke kryer punën e vet lidhur me armatimin e gjetur në këtë lokacion.