Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të mërkurën e kanë liruar nga paraburgimi ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilajn, i cili u arrestua në nëntor të vitit të kaluar. Megjithatë, sipas juristëve, Kilaj nuk është liruar me kusht, por i është zëvendësuar masa e paraburgimit me një masë më të butë e me disa kushte që i janë caktuar.
Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK), në një përgjigje për portalin Dukagjini, ka thënë se kjo lëshon një sinjal të rëndësishëm për të ardhmen e proceseve në Dhomat e Specializuara, ku masa e paraburgimit mund të zbutet për persona të tjerë që janë duke u procesuar.
Sipas tij, është e rëndësishme që të zbatohen kushtet e caktuara për të respektuar procesin gjyqësor dhe për të siguruar vazhdimësinë e tij pa pengesa.
“Sot e kemi parë nga Dhomat e Specializuara që e kanë lëshuar një komunikatë që Isni Kilajt i është zëvendësuar masa, ai nuk është liruar me kusht për arsye se procedurat ndaj tij ende do të vazhdojnë, sepse prokuroria ka paraqitur apo ka bërë ndryshimin e aktakuzës dhe më 3 maj 2024 shkalla e parë e ka zëvendësuar masën e paraburgimit me mbrojtjen në liri me disa kushte që i kanë caktuar, mendoj që ky vendim është i parashikuar me rregulloren mbi administrimin e provave dhe besoj që Specialja mundet që vendimet e ngjashme apo të ardhmen t’i aplikojë edhe ndaj personave të tjerë që janë duke u procesuar pranë dhomave të specializuara, sigurisht personave që i zbutet masa e paraburgimit duhet t’i respektojnë kushtet në përpikëri dhe besoj që procedura gjyqësore do të vazhdojë pa pengesa”, tha Alija.
Ai vlerëson se në këtë fazë fillestare të procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara, thelbi i vlerësimit përqendrohet te kushtet që detyrojnë caktimin e një mase për personin në fjalë.
Alija shton se kjo periudhë nuk karakterizohet nga shqyrtimi i provave, por më tepër nga vlerësimi i kritereve siç janë rreziku i ndikimit në dëshmitarë dhe ekzistenca e kushteve për arratisje.
“Tani në këtë fazë të procedurës paraprake nuk shqyrtohen provat, kryesisht shqyrtohen kushtet, të cilat kërkohen që të caktohet një masë, se a ekziston kushti i arratisjes, a ekziston rreziku në ndikim në dëshmitarë dhe sigurisht që gjykata i ka vlerësuar të gjitha këto rreziqet që ekzistojnë në këtë procedurë dhe e ka vlerësuar që në këtë fazë, duke pasur parasysh që i njëjti është ndodhur që disa muaj në paraburgim, e ka shqyrtuar që masa mund të zbutet dhe procedura apo gjykimi më pastaj të vazhdojë pa pengesa”, shtoi më tej ai.
Alija shtoi se ndryshe nga perceptimi i zakonshëm, masa e paraburgimit nuk është gjithmonë e detyrueshme për të akuzuarit.
Sipas tij, ka disa masa alternative si arresti shtëpiak apo lajmërimi në stacionin policor, të cilat mund të aplikohen nga Gjykata Speciale në raste të caktuara.
Megjithatë, ai theksoi se kjo nuk është një garanci për zbutjen e masave për personat që akuzohen për vepra penale të rënda.
Alija vuri në pah nevojën që gjykata të ketë parasysh përvojën dhe situatën e çdo rasti individual, duke theksuar se mund të vlerësojë zbutjen e masës edhe ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në të ardhmen, pas dëgjimit të dëshmitarëve nga prokuroria.
“Nuk është obligative gjithmonë masa më e rreptë siç është masa e paraburgimit, ekzistojnë edhe masat e tjera siç është arresti shtëpiak, lajmërimi në stacionin policor pra Gjykata Speciale në të ardhmen mund t’i zbusë masat edhe ndaj krerëve por ky nuk është garanci për arsye se të njëjtit akuzohen me vepra penale shumë të rënda por në anën tjetër duke pasur parasysh që procedura ndaj Thaçit dhe të tjerëve është duke vazhduar për më shumë se 3 vite atëherë gjykata duhet ta ketë parasysh dhe ndoshta në të ardhmen mund edhe ta zbusë masën por sigurisht që kjo ndoshta mund të vlerësohet pasi të dëgjohen shumica e dëshmitarëve nga prokuroria”, tha tutje Alija.
Në anën tjetër, avokati Artan Çerkini theksoi se vendimi për lirimin e Isni Kilajt është në përputhje me ligjin dhe mekanizmat gjyqësorë.
Ai shtoi se ky standardizim duhet të aplikohet edhe në raste të tjera, duke përfshirë rastin e Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së.
“Vendimi për lirimin e Isni Kilaj është i drejtë dhe i bazuar në ligj. Gjykata drejt ka vepruar atëherë kur ka konstatuar se një i paraburgosur nuk mund të mbahet i privuar nga liria për shkak të vonesave që shkaktohen me fajin e prokurorisë. Ky standard është dashur të aplikohet edhe në rastin Thaqi dhe të tjerët”, tha Çerkini për portalin Dukagjini.
Edhe juristi Taulant Hodaj, vlerëson se vendimi edhe në aspektin formal edhe në aspektin ligjor është i arsyeshëm dhe mirë arsyetuar.
Ai në një përgjigje për portalin Dukagjini, thotë se ky vendim është i bazuar në Ligjin për Dhomat e Specializuara, Rregulloren e Procedurës dhe Provave dhe fakteve të shqyrtuara nga Gjykata.
“Nga arsyetimi i vendimit lë të kuptohet se arsyeja kryesore e lirimit me kusht është sepse Prokuroria me rastin e kërkimit të përmirësimit të aktakuzës po e zvarrit procedurën pa fajin e z.Kilaj dhe kjo nuk duhet të shkojë në dëm të të akuzuarit sidomos duke marrë parasysh parimin e pafajësisë në procedurën penale”, u shpreh ai.
Po ashtu, ai shton se fakt tjetër që shkon në favor të lirimit me kusht të z. Kilaj është edhe dënimi eventual që nuk është shumë i lart.
“Prej 1 deri në 5 vite, dhe tani ka kaluar 6 muaj në paraburgim, rrjedhimisht Gjykata ka konstatuar që paraburgimi nuk është në proporcion në këtë fazë dhe duke marrë parasysh faktet e lartcekura”.
Ndërkaq, ai thekson se ky vendim mund të shërbejë si precedent dhe bazë për ndonjë vendim tjetër eventual të Gjykatës për lirim me kusht për të paraburgosurit tjerë.
“Sidomos duke pas parasysh që pranë Gjykatës aplikohen praktika gjyqësore, shtoja faktin që ky vendim është aprovuar edhe nga Apeli, atëherë ky vendim ka vlerë më të madhe dhe mund të shërbejë si bazë edhe për vendimet tjera eventuale. Sidoqoftë, duhet të kuptohet drejt se për çdo rast-kërkese Gjykata i vlerëson të gjitha rrethanat, e rëndësisë së parë është vepra apo veprat që akuzohen dhe të z. Kilaj akuza për të cilën akuzohet nuk është që dënohet me vendim kapital”.
Në nëntor të vitit 2023, Kilaj u arrestua nga Dhomat e Specializuara në Hagë, nën dyshimet për veprat penale që kanë të bëjnë me pengimin e drejtësisë.
Dhomat e Specializuara thanë se në vendimin për rishikimin e paraburgimit ndaj Kilajt, gjykata ka konstatuar se “ende ekziston dyshimi i bazuar që Kilaj ka kryer vetë ose së bashku me të tjerë, vepra penale kundër administrimit të drejtësisë”.
Gjykata tha se pavarësisht vendimit për lirim, ka ende rrezik “të moderuar” që Kilaj të arratiset dhe të pengojë ecurinë e proceduraleve penale, si dhe “të kryejë vepra të tjera penale”.
“Megjithatë, gjykatësi arriti në përfundim se zgjatja e paraburgimit të zotit Kilaj, në rrethanat aktuale do të ishte e paarsyeshme, duke marrë në konsideratë prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën e tij për liri në rrethanat e zhvillimeve të reja”, u tha në njoftim.
Po ashtu, ndër arsyet e vendimit për lirimin e Kilajt u përmend edhe vendimi i Prokurorisë së Specializuar që synon të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar ndaj tij dhe kjo mund të marrë kohë.
Në njoftimin e Dhomave të Specializuara, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, u theksua se Kilaj mund të dënohet deri me pesë vjet burgim për veprat për të cilat dyshohet.
Ai ka qëndruar për pothuajse gjashtë muaj në qendrën e paraburgimit në Hagë. Kur u arrestua, Prokuroria e Specializuar tha se ai dyshohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe shkeljen e sekretit të procedurave.
Kilaj kishte drejtuar komunën e Malishevës në dy mandate, nga 2007 deri më 2009 dhe nga 2009 deri më 2013.