Bashkimi Evropian ka thënë se përpjekjet për gjetjen e një marrëveshjeje për çështjen e dinarit në Kosovë kanë dështuar, duke theksuar mungesën e gatishmërisë për kompromis nga të dyja palët.
Pas takimit të shtatë për çështjen e dinarit, BE-ja ka bërë të ditur se edhe pse ka paraqitur propozime kompromise, dallimet e palëve kanë penguar një zgjidhje të pranueshme.
“Megjithatë, pavarësisht se BE-ja paraqiti një propozim kompromisi që përshtati pozicionet e palëve në masën maksimale të mundshme, palët nuk mundën të binin dakord për disa çështje kyçe, duke përfshirë shtrirjen e përgjithshme të aktiviteteve të njësisë së re, fushëveprimin e përfituesve të këtij entiteti, dhe ndihmë financiare nga Serbia për institucionet e mbështetura nga Serbia në Kosovë”, thuhet në komunikatën e BE-së.
BE-ja ka vlerësuar se nuk ka gatishmëri për gjetjen e një marrëveshjeje në të ardhmen, por mbetet e hapur për takime të ardhshme sapo të sinjalizohet gatishmëria për kompromis nga palët.
“Takimi i fundit sot dëshmoi që palët nuk ishin në gjendje të gjenin një zgjidhje kompromisi në çështjet e hapura. BE-ja shpreh keqardhje që sot nuk u arrit asnjë marrëveshje. BE-ja vlerëson se nuk ka gatishmëri për të gjetur marrëveshje kompromisi për të ardhmen”, thuhet tutje në deklaratë.
Sipas komunikatës së BE-së, gjatë shtatë takimeve, palët kanë paraqitur gjerësisht qëndrimet e tyre dhe kanë hulumtuar mundësitë për të gjetur bazën e përbashkët.
“BE-ja dha disa ide dhe propozime përgjatë procesit dhe palët arritën të kapërcejnë disa dallime në mënyrë që të sigurojnë flukse financiare nga Serbia në Kosovë, përfshirë marrëveshjen për themelimin e një entiteti të ri biznesor, sipas ligjeve të Kosovës, i ngarkuar me shpërndarjen e përkohshme të ndihmës financiare nga Serbia”, thuhet mes të tjerash në komunikatë.
Deklarata përfundon me shqetësimin se mungesa e marrëveshjes ka pasoja negative në jetën e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera të Kosovës.