Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore e-Kosova.
Gjatë ceremonisë është thënë se kjo platformë u mundëson qytetarëve shërbime më të mira, ndërsa ua mundëson që t’i ndjekin mbledhjet e asambleve komunale e t’i raportojnë problemet në komunat përkatëse.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se përmes kësaj strategjie do t’u mundësohet qytetarëve të marrin shërbime më të mira dhe të jenë më të informuar për zhvillimet në komunat e tyre, si dhe do të krijohet një linjë komunikimi mes tyre dhe komunarëve.
“Ky transformim mundëson shërbime më të mira për qytetarët dhe bizneset. Përmes strategjisë së re e-Komuna, kemi filluar një sërë reformash në zhvillimin e qeverisë digjitale. E kur flasim për shërbime, qëllimi nuk është vetëm digjitalizimi, por shërbimet duhet të ridizajnohen që ta kenë në fokus qytetarin. Parimi themelor gjatë ofrimit të shërbimeve është ai i gjithëpërfshirjes. Duhet të sigurohemi që asnjë qytetar të mos mbetet mbrapa. Ne jemi të përkushtuar që ky proces transformues të jetë edhe i sigurt”, ka deklaruar Kurti.
Kurti po ashtu ka thënë se sot po lansohet një numër i shërbimeve të reja në platformën e-Kosova, e që, sipas tij, ato rrisin interaksionet mes komunave dhe qytetarëve, duke bërë që qytetarët të jenë të informuar në kohë reale për zhvillimet në komunën e tyre.
“Qëllimi është që të krijohet një linjë e drejtpërdrejtë komunikimi mes qytetarëve dhe të zgjedhurve të tyre. Kjo do të përmirësojë edhe llogaridhënien”, ka thënë tutje kryeministri.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka treguar se cilat shërbime do të shtohen.
“Disa nga shërbimet që planifikohen në fazën e parë janë: Transmetimi i mbledhjeve të asambleve komunale, raportimi i problemeve në komunat përkatëse, informacionet mbi komunat, qasja te pasuria e zyrtarëve komunal, inicimi dhe pjesëmarrja në debatet publike. Përmes këtyre shërbimeve qytetarët kanë mundësi t’i adresojnë më lehtë kërkesat e tyre të organet komunale. Në fazën e dytë do të përfshihen edhe shërbime tjera”, ka thënë ai.
Ndërsa, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, ka thënë se përmes zhvillimit të këtyre shërbimeve do të rritet edhe llogaridhënia e institucioneve.
Në ceremoninë e organizuar për lansimin e platformës e-Komuna morën pjesë edhe kryetarë komunash e zyrtarë komunalë.