Këngëtari Sinan Vllasaliu ka thënë se nuk ndihet fajtor derisa ka deklaruar se çdo shmangie nga tatimi ishte e paqëllimshme.
Këtë deklarim Vllasaliu e ka bërë të premten në fjalën përfundimtare që është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ai akuzohet se ka dëmtuar shtetin me 24 mijë e 270 euro e 98 centë, duke iu shmangur tatimeve gjatë viteve 2011-2015.
“Nuk ndihem fajtor… çdo gjë që iu kam shmangë është shume e paqëllimshme, si dhe kur më ka kërku ATK-ja nuk kam qenë këtu. Po sikur ta dija sigurisht, do të paraqitesha, pasi i vetmi problem i imi është se unë jam vetëm shtetas i Amerikës”, ka deklaruar Vllasaliu, raporton Betimi për Drejtësi.
Fillimisht, gjykatësja Naime Krasniqi Jashanica, njoftoi palët në procedurë se avokati Florent Latifaj nuk ka mundur të jetë prezent për arsye personale, ndërsa në vend të tij sipas autorizimit zëvendësues është avokatin Driton Musliu,
Avokati Musliu kërkoi që të lirohet nga përgjegjësia penale i akuauari Vllasaliu, pasi sipas tij, nuk ekziston elementi esencial që është qëllimi për t’iu shmangur tatimeve të shtetit.
Në anën tjetër, prokurorja Elza Bajrami, në fjalën përfundimtare pasi ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga neni 313 paragrafi 1 në paragrafin 2, ka thënë se është vërtetuar se ka pasur shmangie nga tatimi.
Ajo ka kërkuar që i akuzuari Vllasaliu të shpallet fajtor.
“Ne konsiderojmë se i njëjti ka kryer këtë vepër penale, megjithatë kjo dëshmon se dhe me provat qe janë pjesë e shkresës së lëndës edhe nga ekspertizat, që ne si prokurori nuk i kundërshtojmë, edhe i propozojmë gjykatës që ta shpallë fajtor”, ka deklaruar prokurorja Bajrami.
Sipas aktakuzës së ngritur më 2 maj 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sinan Vllasaliu po ngarkohet me veprën penale “Shmangia nga tatimi”.
Aktakuza thotë se i pandehuri Vllasaliu në cilësi të këngëtarit dhe të pronarit të biznesit “N.P.T. “Tusido” me seli në Prishtinë, në vazhdimësi për vitet fiskale 2011, 2012, 2013, 2014 dhe 2015 që ndërlidhen me pagesën e tatimit, tarifave apo kontributeve tjera pranë Administratës Tatimore të Kosovës me qëllim të përfitimit të paligjshëm, nuk ka deklaruar apo ka deklaruar pjesërisht qarkullimin real nga aktiviteti i tij ekonomik.
Për këtë veprim, ai ngarkohet se ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë të përgjithshme në vlerë prej 24 mijë e 270 euro e 98 centë.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 313, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.