Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto, ka deklaruar se Hungaria nuk do të votojë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).
Gjatë një takimi të Komitetit të Ministrave të 46 vendeve anëtare të KiE-së në Strasburg, Szijjarto ka sqaruar se ky është një vendim parimor dhe se autoritetet e Kosovës janë njoftuar për këtë qëndrim.
“Ne kemi një qëndrim shumë të qartë: nuk e përkrahim anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ky është një qëndrim parimor për të cilin kemi njoftuar miqtë tanë në Kosovë. Ne dëshirojmë të shohim përfundimin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Nga përvoja jonë, sa herë që Kosova ka aplikuar për anëtarësim në një organizatë ndërkombëtare, kjo ka ndikuar negativisht në dialog,”, ka theksuar Szijjarto.
Ai ka shtuar se mbyllja me sukses e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë është “çelësi për hyrjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.
“Së pari, dialogu duhet të jetë i suksesshëm, pastaj Kosova mund të aplikojë për anëtarësim. Ky është pozicioni ynë i përgjithshëm. Ndoshta ky nuk është qëndrim i shumicës, por në mënyrë fer ne kemi ndarë qëndrimet tona edhe me kosovarët”, ka thënë Szijjarto, transmeton EO.
Pavarësisht zotimit të Qeverisë së Kosovës për përgatitjen e draftstatutit të Asociacionit një ditë më parë, Kosova ka mbetur jashtë rendit të ditës për mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
Kosova mbetet jashtë agjendës për mbledhjen e Komitetit të Ministrave të KiE-së