Gjatë kësaj të shtuneje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për skemën e re të asistencës sociale, ku ka thënë se nuk është e nevojshme që të flitet për situatën me vende të punës në Kosovës, meqë sipas tij, flasin vetë statistikat.
Kryeministri ka thënë se në katër vitet e fundit, në Kosovë janë krijuar 87 mijë vende të reja pune, apo 26 për qind më shumë sesa kanë qenë në vitin 2019.
Kurti ka thënë se kanë arritur që të sigurojnë për buxhetin e Kosovës 1 miliard euro më shumë përgjatë tri vjetëve qeverisje.
“Kur morëm mandatin qeverisës premtuam punë dhe drejtësi. Punë që nënkupton zhvillimin ekonomik të vendit dhe drejtësi që nënkupton trajtim të drejtë e të barabartë para ligjit.Për të parën, fjalimet nuk janë të nevojshme! Statistikat e rritjes së vendeve të punës, uljes së shkallës së papunësisë, rritjes së punësimit të grave dhe të rinjve, rritjes ekonomike, rritjes së qarkullimit të bizneseve, e rritjes së të hyrave buxhetore, pasqyrojnë qartazi suksesin e Qeverisë sonë në këtë drejtim”, ka thënë Kurti, njofton Kryeministria.
“Nga 331,742 vende pune në mbyllje të vitit 2019, në fund të vitit 2023, pra për një periudhë 4 vjeçare, kemi 419,126 vende pune apo mbi 87 mijë vende pune më shumë apo mbi 26 për qind. Më tej, nga një rritje ekonomike prej 1 miliard euro për tri vite gjatë mandateve para qeverisë sonë, kaluam në një rritje ekonomike prej 1 miliard euro në vit me Qeverinë tonë. Nga një rritje e të hyrave buxhetore prej 1 miliard euro për më tepër se 10 vite para nesh, kaluam në një mbledhje të të hyrave buxhetore për 1 miliard euro më shumë për tri vite qeverisje”, ka thënë kreu i ekzekutivit kosovar.
Sipas tij, një situatë të tillë e “konfirmojnë edhe institucionet ndërkombëtare financiare në raportet e tyre, sikurse Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar e së fundmi edhe raporti i agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit kreditor, Fitch Ratings”.
Por punën tonë për zhvillim ekonomik të vendit e cila u përkthye në më shumë vende pune për qytetarët e Republikës dhe më shumë të hyra buxhetore për Kosovën, nuk e ndalëm këtu”, ka deklaruar i pari i vendit.