Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të pres nesër në takim nënsekretarën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen.
Osmani dhe Allen do të nënshkruajnë marrëveshjen e mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, presidentja Osmani dhe nënsekretarja Allen do të deklarohen për media.
Allen ka arritur sot për vizitë në Kosovë, ku ka vizituar lokacionin arkeologjik të Dresnikut.
Zyrtarja e lartë e DASH-it, gjithashtu nesër do të takohet edhe me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.