“The Guardian”, duke iu referuar raportimit të televizionit shtetëror të Iranit, informon se helikopteri që u rrëzua në të cilin ishte presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe delagacioni i tij është gjetur nga ekipet e kërkimit.
Nuk ka ende asnjë përditësim për gjendjen e personave në bord, vijon raportimi.
Televizioni shtetëror ka thënë se incidenti ka ndodhur afër Xholfas, qytetit në kufi me shtetin e Azerbajxhanit, rreth 600 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit iranian, Teheranit.
Në atë zonë është raportuar për shira të rrëmbyeshëm dhe erë të fortë.
Raisi ka qenë në Azerbajxhan të dielën, për të inauguruar një digë, bashkë me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Ndryshe, Ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar helikopterin në të cilin ka qenë presidenti iranian, Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian, i cili, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve iraniane, IRNA, ka pësuar “ulje të ashpër” në një mot me mjegull në teren malor, në veriperëndim të Iranit.
Qeveria iraniane ka thënë më 19 maj se helikopteri ku ka qenë presidenti, ka qenë vetëm një prej tre helikopterëve në një konvoj duke udhëtuar afër kufirit me Azerbajxhanin.
Dy helikopterët tjerë kanë ateruar në mënyrë të sigurt në qytetin e Tabrizit.
Konfirmohet që helikopteri në të cilin gjendej presidenti i Iranit u rrëzua në male
Televizioni shtetëror ka raportuar të ketë pasur kontakt me njërin pre pasagjerëve në helikopter, duke dhënë shpresa për situatën, por pa dhënë më shumë hollësi.
Ministria e Brendshme iraniane ka thënë se ekipet e shpëtimit po tentojnë t’i afrohen zonës, mirëpo po hasin në vështirësi, për shkak të motit të lig.
“Po presim për detaje tjera”, ka thënë ministri i Brendshëm, Ahmad Vahidi.
Janez Lenarcic, komisionar i Bashkimit Evropian për Menaxhim të Krizave, ka thënë se Irani ka kërkuar ndihmë, duke marrë parasysh situatën e vështirë.
Televizioni iranian: Helikopteri që transportonte presidentin pësoi “ulje të vrazhdë”