Reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar dëme materiale, të cilat janë duke u sanuar nga ekipet e zjarrfikësve dhe drejtoria e Sigurisë dhe Emergjencave në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Kështu është bërë e ditur nga Komuna e Prishtinës, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.
Në njoftim u bëhet thirrje qytetarëve që të kenë durim edhe në trafikun e ngarkuar, i cili është shkaktuar nga ndërhyrjet në rrugë nga ekipet e emergjencës.
Reshjet e shumta të shiut shkaktojnë vërshime në disa lagje të Prishtinës
“Ju lutemi të keni durim në trafikun e ngarkuar i cili është shkaktuar për shkak të ndërhyrjeve në sanim nga ekipet e emergjencave”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, komuna u ka bërë thirrje qytetarëve se për çdo rast rreziku të raportojnë në Qendrën Emergjente të Kryeqytetit në numrat: 0800 112 33 ose 0800 112 44.
Ndërkaq, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë gjithë javës vendi do të vazhdojë të përballet me reshje të dendura shiu.
Ndërsa, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se pas reshjeve të shiut është bllokuar rruga Prishtinë – Gjilan.
Durmishi ka njoftuar se rruga është bllokuar pas rrëshqitjeve të dheut në fshatin Kishnicë.