Policia e Kosovës, këtë të hënë e ka filluar një aksion në veri të vendit, ku janë mbyllur gjashtë njësi të “Bankës Postare Kursimore”, në veri.
Këtë aksion e ka konfirmuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se ky institucion financiar i Serbisë ishte i jashtëligjshëm.
“Me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, pas komunikimit dhe kërkesës së institucioneve relevante dhe autorizimit të prokurorit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, në katër komunat në veri të Kosovës ka realizuar sot operacionin e kontrollit dhe mbylljes së 6 njësive të të ashtuquajturës Bankë Postare e Kursimeve (Banka Postanske Stedionica) si institucion i jashtëligjshëm financiar i Serbisë në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai në një postim në Facebook.
Tutje, ai u shpreh se “sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim, do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi”.
“Përgëzoj të gjitha institucionet për bashkëpunimin dhe suksesin e treguar”, përfundoi ai.