Gjykata Penale Ndërkombëtare ka kërkuar urdhërarrest për liderin e Hamasit, Yahya Sinwar dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, lidhur me sulmet e 7 tetorit në Izrael dhe luftën pasuese në Gaza.
E për këtë kërkesë për urdhërarrest ndërkombëtar për Netanyahun dhe liderin e Hamasit, ka reaguar edhe presidenti i ShBA-së, Joe Biden, i cili ka thënë se kërkesa e prokurorit të ICC-së për urdhërarrest kundër liderëve izraelitë është skandaloze.
Ai ka thënë se ShBA-ja do të qëndrojë gjithmonë me Izraelin kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së tij.
“Dhe më lejoni të jem i qartë, çfarëdo që mund të nënkuptojë ky prokuror, nuk ka asnjë ekuivalencë, asnjë mes Izraelit dhe Hamasit”, ka thënë Biden, raporton BBC.
Blinken paralajmëron se përpjekjet për armëpushim mund të rrezikohen
Në deklaratën e tij, Antony Blinken vazhdon duke thënë se lëvizja e ICC-së për të kërkuar arrestimin e udhëheqësve izraelitë “nuk ndihmon asgjë” në konfliktin e vazhdueshëm në Gaza dhe sugjeron se mund t’i rrezikojë përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një marrëveshje armëpushimi.
Blinken akuzon kryeprokurorin se po nxiton të kërkojë urdhërarrest “në vend që t’i lejojë sistemit ligjor izraelit një mundësi të plotë në kohë për të vazhduar”.
“Në situata të tjera, prokurori shtyu hetimet kombëtare dhe punoi me shtetet për t’u lënë atyre kohë për të hetuar. Prokurori nuk i dha të njëjtën mundësi Izraelit, i cili ka hetime në vazhdim mbi akuzat kundër personelit të tij,” thotë ai.
“Pavarësisht se nuk ishte anëtar i gjykatës, Izraeli ishte i përgatitur të bashkëpunonte me prokurorin,” vazhdon Blinken.
“Në fakt, vetë prokurori ishte planifikuar të vizitonte Izraelin që në fillim të javës së ardhshme për të diskutuar hetimin dhe për të dëgjuar nga qeveria izraelite”.
Blinken vë në dyshim gjithashtu “legjitimitetin dhe besueshmërinë” e hetimit nga prokurori i ICC.