Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në emisionin “Çim Peka Live”, ka komentuar për nismën “Open Balkan”, duke thënë se Kosova duhet të guxojë të ulet në tavolinën e kësaj iniciative.
Ahmeti e ka quajtur të paguximshme klasën politike të Kosovës, pasi siç ka thënë ai, ajo ndikohet nga bisedat e kafeneve.
Më tej, i pari i BDI-së ka thënë se, Kosova është shndërruar në problem për rajonin.
“Klasa kosovare duhet të jetë më e guximshme. Nuk zgjidhemi për të bërë politikat në kafene, që shajmë, japim mendime të mëdha, që flitet për patriotizma të mëdha’’.
‘’Nuk zgjidhemi të qëndrojmë në shkallët e stadiumit. Zgjidhemi për të zgjidhur probleme dhe situata të vështira. Ne zgjidhemi për t’i drejtuar ata që na zgjedhin dhe jo të biem pre e bisedave në kafene, apo të presioneve qofshin ata presione të politikave ditore’’, ka thënë Ahmeti.
“Është përgjegjësi e madhe, jo e lehtë. Kosova është problemi i rajonit, i Shqipërisë, i Maqedonisë edhe i Malit të Zi, edhe i Serbisë”, ka shtuar Ahmeti.
Ahmeti, ndër të tjera, ka thënë se prej 20 vjetësh angazhohet për pajtim të rajonit.