Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëron se Kremlini po përdor Serbinë për të përhapur dezinformata kundër aleatëve të Ukrainës
Rusia po punon me Serbinë në fushata dezinformuese dhe sulme kibernetike kundër vendeve ballkanike që po mbështesin Ukrainën, ka paralajmëruar Kurti në një intervistë me gazetën britanike, “The Times”.
Kurti tha se Kremlini po përdorte lidhjet e tij me Beogradin, një aleat i vendosur, për t’i ndezur tensionet ekzistuese në ish-Jugosllavi.
Kosova ka ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë predha mortajash dhe automjete të blinduara, dhe është pjesë e një koalicioni shumëkombësh të çminimit në vend. Ajo gjithashtu ka miratuar një rezolutë për të strehuar deri në 5000 refugjatë ukrainas dhe ka ndaluar shtetasit rusë të hyjnë në Kosovë. Një flamur i madh ukrainas është ekspozuar në qendër të kryeqytetit të Prishtinës.
“Në Ballkan kemi një Rusi të vogël, që është Serbia”, tha Kurti.
“Kur Rusia pushtoi Ukrainën, Serbia menjëherë ra në anën e tyre. Të nesërmen në mëngjes, tabloidët serbë po pretendonin se Ukraina kishte sulmuar Rusinë. Ata po tregojnë mbështetje me flamujt rusë dhe shenjën Z, të cilët janë shfaqur edhe në veri të Kosovës”.
Dezinformimi është fronti i dytë. Mediat në gjuhën serbe i kanë cilësuar ngjarjet në veri si të provokuara nga qeveria në Prishtinë. Kurti beson se qëllimi i operacionit në Banjska më 24 shtator ishte të shkaktonte një shkëmbim zjarri me forcat e sigurisë kosovare brenda manastirit ortodoks serb të shekullit të 14-të, dhe më pas ta cilësonte atë si një sulm fetar.
“Sasia e lajmeve të rreme nga veriu është e paprecedentë. Është e madhe”, tha Kurti. “Kundër meje në veçanti por edhe kundër Nenad Rashiqit [ministri për Komunitete dhe Kthim, i cili është serb etnik]. Objektivi i tyre kryesor janë serbët që integrohen në Kosovë”.
Hulumtimi i Institutit Kombëtar Demokratik të Kosovës, një organizatë jofitimprurëse e financuar nga SHBA, Programi i OKB-së për Zhvillim dhe Pikasa Analytics, një kompani për monitorimin e mediave, midis janarit 2022 dhe nëntorit të vitit të kaluar zbuloi se gratë ishin gjithashtu në shënjestër, veçanërisht politikanët, besueshmëria e të cilëve ishte duke u minuar përmes fushatave të bashkërenduara dezinformuese.
Kurse, një hetim i publikuar këtë muaj nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative tregoi se Rusia ka ndërtuar një rrjet biznesmenësh, politikanësh dhe organizatash mediatike në Ballkan që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, kur shumë vende në rajon ndërmorën hapa për të bllokuar kanalet e mediave ruse.
Zonat gri politike të mbetura pas luftës jugosllave ofrojnë dyer të pasme të lehta. Përveç Kosovës veriore, ekziston edhe një rajon i shkëputur etnik serb në Bosnje, Republika Srpska, lideri i së cilës është gjithashtu i afërt me Putinin. Mali i Zi, i cili ishte shteti i fundit ish-jugosllav që u shkëput nga Serbia në vitin 2006, pësoi një përpjekje për grusht shteti të mbështetur nga Rusia kundër qeverisë së tij pro-perëndimore në vitin 2016.
Kremlini tani po përdor dezinformimin në Ballkan jo vetëm për të destabilizuar demokracitë tashmë të brishta të rajonit, por për të tërhequr paralele të rreme midis luftës së Ukrainës dhe bombardimeve të NATO-s të Beogradit në vitin 1999 gjatë kulmit të luftës në Kosovë. Bombardimet vazhdojnë të ngjallin ndjenja të thella antiperëndimore në Serbi dhe konflikti në Kosovë është ende një qendër e dezinformatave; në vitin 2019, Linja Ballkanike, një film artistik i përbashkët i prodhuar nga Rusia-Serbi, përshkruante ushtrinë ruse që nxitonte në aeroportin e Prishtinës për të ndaluar rënien e saj në duart e bandave kriminale. Në realitet, trupat ruse pushtuan shkurtimisht aeroportin në shenjë hakmarrjeje që Moska ishte lënë jashtë një marrëveshjeje paqeje.
Shqetësuese është edhe lufta kibernetike, tha Kurti. Në fillim të këtij muaji, qeveria e Kosovës pësoi një sulm të madh të shpërndarë të mohimit të shërbimit ndaj sistemeve thelbësore (një formë e sulmit kibernetik që tenton të mbingarkojë një sistem, duke e detyruar atë të rrëzohet), i cili çaktivizoi faqet e internetit zyrtare për rreth një orë dhe besohet është kryer nga hakerat rusë./ The Times