Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i ka reaguar Bashkimit Evropian në lidhje me deklaratën e tyre për aksionin e fundit të Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Sipas tij, deklarata e BE-së vërteton destruktivitetin e Serbisë në dialog, por është edhe ironike.
“Fatkeqësisht, deklarata vërteton vetëm destruktivitetin e Serbisë gjatë gjithë dialogut, p.sh. në takimet e fundit në Bruksel për Rregulloren e Bankës Qendrore për operacionet me para në dorë — që kanë dështuar pikërisht për shkak të qëndrimit të Serbisë, gjë që bie ndesh me propozimin e vetë BE-së.
Për më tepër, sundimi i ligjit nuk duhet të perceptohet si sjellje shkallëzuese. Është ironike që BE-ja të reagojë kundër veprimeve që janë në përputhje me sundimin e ligjit, kur misioni më i madh civil i BE-së quhet Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, ka shkruar Kryeziu.
Ai ka deklaruar se thirrja e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) që strukturat ilegale të trajtohen me Asociacion është “paraqitje mashtruese e asaj se si është menduar” Asociacioni.
Sipas tij, Asociacioni nuk është ombrellë për legalizim të strukturave të krijuara paralelisht dhe në mënyrë të paligjshme.
“Sugjerimi i EEAS në deklaratën e saj sot – që strukturat ilegale në Kosovë duhet të trajtohen dhe të zgjidhen me Asociacion – është paraqitje mashtruese e asaj që Asociacioni ishte menduar të ishte ndonjëherë. Së pari, nuk është një ombrellë për legalizimin e strukturave të krijuara në mënyrë të paligjshme dhe të njëanshme”, ka shkruar Kryeziu në X.
Në reagim e BE-së thuhet se ky veprim sjell tensione dhe e cenon normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut.
“Mbyllja dhe konfiskimi i këtyre zyrave pa njoftim apo koordinim paraprak dhe vetëm pak ditë pas takimit të fundit të Dialogut, e cila mbuloi edhe çështjen e objektit të Bankës së Kursimeve Postare, është përshkallëzuese dhe bie ndesh me frymën e normalizimit dhe dëmton mirëbesimin e Kosovës në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve përmes dialogut”, thuhet në njoftim.
The EEAS’ suggestion in its statement today—that illegal structures in 🇽🇰 must be dealt w/ & resolved in conjunction w/ ASMM—is a misleading representation of what ASMM was ever meant to be. For one, it isn’t an umbrella for legalizing illegally & unilaterally created structures.
— Perparim Kryeziu (@KryeziuPerparim) May 21, 2024