Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, do të vizitojë sot Shqipërinë, ku do të takohet me liderët më të lartë të vendit.
Cameron do të zhvillojë takime me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me ministrin e Jashtëm, Igli Hasani, me të cilin do të ketë një konferencë për mediat, para se të pritet pastaj nga presidenti Bajram Begaj.
Për ta pritur zyrtarin e lartë britanik, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është stolisur me flamuj britanikë dhe shqiptarë, ndërsa në ndërtesën e Universitetit Politeknik është vendosur një banderolë ku shkruhet “Mirë se vini zotëri Cameron”.
Në një deklaratë për mediat britanike para mbërritjes në Shqipëri, Cameron kishte thënë se partneriteti i Britanisë me Shqipërinë po jep rezultat sa i përket luftës kundër migracionit të paligjshëm, që shënoi rënie për 90 % në vitin 2023.
Ambasada britanike në Tiranë njoftoi pak ditë më parë se Cameron do ta nënvizojë suksesin e partneritetit mes dy vendeve për t’i bërë ballë trafikantëve me qenie njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm, si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit.
Gjithashtu u bë e ditur se sekretari i Jashtëm britanik do të njoftojë një program të ri që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe ofrimin e ekspertizës së Mbretërisë së Bashkuar për Policinë Shqiptare.
Mbretëria e Bashkuar ka ofruar 4 miliardë paund për projekte në Shqipëri, që do të realizohen në bashkëpunim me Ministrinë e Financës, Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës dhe bashkitë në të gjithë vendin.
Sipas Ambasadës britanike në Tiranë, lidhjet tregtare janë dyfishuar vitin e kaluar dhe turistët e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri janë rritur për 30% në janar 2024, krahasuar me janarin e vitit 2023, duke i hapur rrugë parashikimeve për një turizëm në nivele rekord këtë vit.