Komuna e Malishevës ka filluar sot me dezinfektimin e zonave endemike kundër rriqrave. Fillimin e këtij procesi e ka parë nga afër edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati dhe drejtorët e drejtorive përgjegjëse për realizimin e dezinfektimit.
“Pavarësisht numrit të rasteve të thumbimeve nga rriqrat, është fat i mirë se tani e një dekadë nuk kemi raste të infektimit me këtë virus vdekjeprurës, por ne si komunë, brenda përgjegjësive dhe kompetencave, jemi duke bërë të pamundurën për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë që janë të angazhuar në luftimin dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje, duke filluar nga punëtorët shëndetësorë, zyrtarët përgjegjës komunalë, si dhe të gjithë qytetarët, të cilët po tregohen shumë të kujdesshëm”, ka thënë Kastrati.
Kastrati ka apeluar tek organet përgjegjëse shtetërore që të merren masat e nevojshme për luftimin e EHKK, siç janë Këshilli Ndërministror, pastaj realizimi i repelimit të kafshëve, si masa më efektive në luftimin e EhKK dhe të gjitha përgjegjësitë tjera, të cilat, sipas tij, duhet të fillojnë nga Ministria e Shëndetësisë, IKShPK dhe Ministria e Bujqësisë dhe AUV.
“Në fillimin e fushatës së dezinfektimit të zonave endemike, ishin të pranishëm edhe drejtorët e drejtorive përkatëse, Hajdin Berisha, drejtor i shëndetësisë, Sylë Dukolli, drejtor i bujqësisë dhe drejtori për mbrojtje dhe shpëtim, Shqipron Shala. Ky dezinsektim, bëhet në koordinim në mes të drejtorive përgjegjëse në Komunën e Malishevës dhe Institutit Rajonal të Shëndetit Publik (IRSHP) në Prizren”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.